Në mbledhjen e grupit parlamentar te PS, burime bëjnë me dije se kryeministri Rama ka deklaruar se do të vijojnë betejën ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku.
Kryeministri ka deklaruar se do të njihet me konsulencë nderkombëtare. Ai ka paralajmëruar se grupi parlamentar socialist do të iniciojë ndërhyrje në legjislacion, pasi siç shton, “të gjithë anëtarët e trupës së Gjykatës Kushtetuese shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja”.
Në kushtet kur SPAK kërkon të marrë autorizimin për arrestimin e zv/kryeministres së pezulluar nga detyra, Rama deklaron se nuk ka asnjë urgjencë që Këshilli i Mandateve të Mblidhet për t’i hequr imunitetin Ballukut.
REAGIMI I RAMËS
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga:
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.

