“Nëse më 5 mars PS nuk voton për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, po atë ditë i vihet qepeni Reformës në Drejtësi. SPAK dhe GJKKO kthehen në organe formale, pa fuqi reale”, kështu është shprehur Lisandër Hoxha, anëtar i KK, ndërsa ka analizuar ndryshimet e fundit në qeveri.
Nëpërmjet një reagimi të gjatë në Facebook, Hoxha ka shpjeguar Reforma në Drejtësi u votua me 140 kartona nën një nxitje të fortë, konkrete dhe të drejtpërdrejtë nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga presioni publik. Por sipas tij, sot po testohet pikërisht ky standard.
Më tej ai nënvizon se heqja e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku nuk është thjesht një akt procedural, por siç nënvizon Hoxha, hap një fazë të re politike.
REAGIMI I PLOTË
Për ata që kanë dyshime se si do të rrjedhin ngjarjet, ju ftoj të gjykoni mbi faktet.
Në Shqipëri nuk ka ndodhur më parë që imuniteti i kërkuar nga Prokuroria të mbrohet me forcën e kartonave. Kjo do të ishte një mbivendosje pushtetesh që do ta shkatërronte përfundimisht shtetin.
Nëse më 5 mars PS nuk voton për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, po atë ditë i vihet qepeni Reformës në Drejtësi. SPAK dhe GJKKO kthehen në organe formale, pa fuqi reale.
Le të mos harrojmë një fakt. Reforma në Drejtësi u votua me 140 kartona, jo sepse të gjithë besonin te ajo. U votua nën një nxitje të fortë, konkrete dhe të drejtpërdrejtë nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga presioni publik, pikërisht sepse një pjesë e atyre që ngritën kartonin e kishin reformën me dyshim. Ishte një moment kur politika u detyrua të pranojë një standard që në thelb nuk e donte.
Sot po testohet pikërisht ai standard. Nëse kartonat përdoren për të mbrojtur pushtetin nga drejtësia, atëherë pranohet publikisht se reforma ishte vetëm një akt formal dhe jo një ndryshim real.
Pra Edi Rama është i detyruar ta lëshojë Belindën para drejtësisë. Përndryshe, mbi cilin parim qëndron vetë në detyrë? Nuk mund të kërkosh legjitimitet moral për të qeverisur, ndërkohë që mbron politikisht një të akuzuar për vjedhjen e taksave të qytetarëve.
Heqja e imunitetit nuk është thjesht një akt procedural. Ajo hap një fazë të re politike. Krizë, po, por edhe mundësi.
Nga kjo situatë lind nevoja për një qeveri antikorrupsion dhe antitranzicion. Kjo do të thotë një qeveri që nuk ka si mision mbijetesën e një grupi, por stabilizimin e shtetit. Një qeveri që nuk përdor buxhetin për të blerë vota, por për të garantuar barazi në garë. Një qeveri që e sheh drejtësinë si partnere dhe jo si armike. Një qeveri që ndërpret ciklin 30 vjeçar të tranzicionit ku pushteti ndërrohet, por sistemi i abuzimit mbetet i njëjtë.
Kjo është logjika e saj: të shkëpusë përfundimisht lidhjen mes pushtetit politik dhe parave të korrupsionit që deformojnë votën. Vetëm kështu zgjedhjet bëhen reale dhe jo thjesht procedurale.
E di që do të jetë e vështirë. Kundër këtij projekti është e gjithë klasa e përfituesve të tranzicionit. Pro janë qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë që investuan politikisht dhe financiarisht për një shtet me standarde.
Cili grup mendoni se do të fitojë?
Unë besoj se në këtë pranverë shqiptare do të vendosim parime që e çojnë përpara shoqërinë tonë. Do të jetë koha kur politika ndahet nga pandëshkueshmëria dhe shteti kthehet në shërbim të qytetarit. Do të jetë koha kur drejtësia nuk negociohet dhe vota nuk deformohet nga paraja e korrupsionit. Ky është fillimi i një etape të re ku përgjegjësia fiton mbi abuzimin dhe besimi mbi frikën.
