Gazetari Armand Maho ishte mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ku komentoi kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Maho theksoi se negociatat për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë nuk janë zhvilluar nga Balluku, por nga kryeministri Edi Rama, duke shtuar se përgjegjësia për atë që ai e cilëson si korrupsion masiv duhet të jetë më e gjerë.

Sipas gazetarit, është e pakuptimtë që projekti i Unazës të ndahet në shtatë lote të ndryshme, çka, sipas tij, ngre dyshime serioze mbi mënyrën e menaxhimit të procedurave. Ai ngriti pyetjen se çfarë duhet të ndodhë më tej që kryeministri të marrë përgjegjësi morale për situatën e krijuar.

Maho kritikoi edhe reagimin e kryeministrit, duke iu referuar një statusi të gjatë në rrjetet sociale, përmes të cilit, sipas tij, Rama ka dalë në mbrojtje të Ballukut. Ai theksoi se, ndonëse Balluku ka përgjegjësitë e saj, për çështjen e Tunelit të Llogarasë bisedimet në Turqi nuk janë kryer prej saj, ndërsa pronari i kompanisë ndërtuese, sipas Mahos, ka lidhje të drejtpërdrejta me presidentin turk.

Gazetari u ndal edhe te akuzat e tjera ndaj Ballukut, duke përmendur shtatë procedura të tjera prokurimi dhe duke theksuar se ndarja e Unazës në disa lote, sipas tij, është bërë me urdhër të kryeministrit.

“Brenda ditës priten 18 mandate arresti dhe imuniteti i zv/kryeminstres. Ishte dhe drejtoresha, dy drejtorë vijojnë ende në detyrë. Çfarë duhet të ndodhë që ky kryeministër të marrë përgjegjësi morale?

Del sot me status kilometrik, që mbron Ballukun. Balluku ka gjynahet e veta së të duash. Për tunelin e Llogarasë nuk i bëri ajo bisedimet në Turqi. Pronari është direkt njeriu i Erdoganit. Ballukut nga ana tjetër sot i dolën dhe 7 akuza të tjera. Pse një Unazë duhet të ndahet në 7 lote? I ka bërë me urdhër të Ramës. Mban mend ç’thoshte për Ahmetaj, a të isha unë prokuror çfarë i kisha bërë. Ajo që ka ndodhur në kryemninistri, ka qenë puç institucional, ka penguar BKH”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb