Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vënë nën hetim zyrtar deputetin e Partisë Demokratike, Luan Baçi. Çështja ndaj tij është regjistruar mbi bazën e një kallëzimi penal të depozituar në shkurt të vitit 2024 nga ish-ortaku i tij i biznesit, Aredin Behari.

Sipas padisë së dorëzuar në organin e akuzës, Behari e akuzon deputetin opozitar për pastrim parash dhe fshehje pasurie në vlerën e 1.5 milionë eurove. Veprimtaria e pretenduar financiare dhe fshehja e kapitaleve, sipas kallëzuesit, ka ndodhur përgjatë periudhës 2010–2012.

Me hapjen e këtij hetimi, strukturat e hetimit financiar pranë SPAK-ut pritet të verifikojnë deklarat e pasurisë, bilancet e sipërmarrjeve tregtare dhe lëvizjet e llogarive bankare të ligjëruara gjatë atyre viteve.

“E mora avokatin sepse nuk doja të flisja vetë. Është e njëjta procedurë. Një ish ortaku im, qytetar hallexhi, në 2010 në një punë të përbashkët ka shitur aksionet e ka ikur dhe pas 16 vitesh është kujtuar të kallëzojë në SPAK. Jemi në proces civil në Gjykatën e Vlorës për arsyet që ai pretendon se bashkëshortja e tij nuk ka qenë prezente në shitjen e aksioneve. Bashkëshortja ka kallëzuar dhe ortakun dhe mua. Sot u mora si person nën hetim, nuk më është komunikuar vepër penale”, është shprehur ai për mediat para ambienteve të SPAK.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb