Përveç biznesmenit, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të arrestuar, Prokuroria e Posaçme po vijon hetime të mëtejshme për koncesionin e sterilizimit për zyrtarë të tjerë, përfshirë edhe rolin e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se GJKKO i kërkon SPAK-ut të nisë hetimet edhe për zyrtarë të tjerë, përfshirë dhe ish-ministrin Ilir Beqja, por edhe për Shkëlqim Canin. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, u paraqit në SPAK disa javë më parë, pasi koncesioni u dha gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

“Nuk ka detyrim nga gjykata për SPAK për të nisur hetimet për ish-ministrat Beqja dhe Cani, por e ka orientuar prokurorinë të vijojë hetimet për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë, si Beqja dhe Cani. Vendimi i gjyqtarit nuk është detyrues për prokurorinë, por nga ana tjetër Prokuroria është e detyruar të marrë dëshminë e tyre.
Ky koncesion është me afat 10-vjeçar dhe vlerë 100 milionë euro. Në përmbushje të këtij vendimi të gjykatës është thirrur z. Cani dhe mund të thirrjen dhe zyrtarë apo ish-zyrtarë të tjerë”, raportoi gazetarja Lala.

Gjithashtu më herët në SPAK dha dëshminë e saj ish-ministrja e Financave, Anila Denaj dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, tashmë i arrestuar. Në muajin qershor SPAK tërhoqi dokumentet e sterilizimit dhe chekup në spitalet e vendit, lidhur me shërbimet që kryejnë, sasitë dhe pagesat e bëra për koncesionaret që kanë fituar tenderin.

Hetimet e SPAK konstatojnë se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin.

Çështja u kallëzua gjatë vitit 2019 nga “Nisma Thurje”, e cila theksoi se kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare “Sani Srevice” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik. KLSH ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb