Katër persona kanë vdekur pasi një ndërtesë gjashtëkatëshe, e cila po rinovohej, u shemb pjesërisht në qendër të kryeqytetit spanjoll, Madrid, ka raportuar BBC.
Kryebashkiaku i qytetit, Jose Luis Martinez-Almeida, tha se trupat e dy personave të fundit të raportuar si të zhdukur u gjetën të mërkurën në mëngjes – rreth 15 orë pasi disa kate në pronën në Rrugën Hileras u shembën.
Media lokale tha se viktimat ishin një grua spanjolle 30-vjeçare, e cila po menaxhonte projektin, si dhe tre punëtorë meshkuj nga Mali, Guinea dhe Ekuadori, të moshës midis 30 dhe 50 vjeç. Tre persona të tjerë u plagosën.
Ish-blloku i zyrave po shndërrohej në hotel. Autoritetet kanë nisur një hetim.
Shërbimet spanjolle të emergjencës thanë se disa ekipe – me dronë dhe qen nuhatës – u vendosën për të kërkuar ata që ishin zhdukur pas shembjes së së martës.
Dy nga trupat u gjetën të martën në mbrëmje.
“E gjithë dashuria dhe mbështetja jonë shkon për familjet, miqtë dhe kolegët e tyre në këtë kohë shumë të vështirë”, tha Martinez-Almeida në një postim në X.
Një punëtor ndërtimi i tha agjencisë së lajmeve Reuters se po pomponte beton në katet e poshtme të ndërtesës jashtë kur ndërtesa u shemb dhe iku me vrap pasi pa një re të madhe pluhuri.
Fasada e ndërtesës mbeti e paprekur pavarësisht shembjes së brendshme.
Sipas faqes së internetit të zhvilluesit Rehbilita, ndërtesa po i nënshtrohej një rinovimi “gjithëpërfshirës” për të funksionuar si një hotel me katër yje.
