Besnik Dizdari, i ka kushtuar një analizë asaj çka po ndodh me disa sportistë shqiptarë, që kanë rezultuar pozitiv në testin e dopingut.

E përditshmja ‘Panorama’ ka publikuar sot shkrimin, ku analizohet gjerësisht rasti i peshëngritjes Romela Begaj.

Nga: Besnik Dizdari
1. KUR FAJI NUK ËSHTË VETËM I ROMELËS …
Sapo kam dalë nga shtëpia në njërën prej këtyre të dielave në mëngjes, tre – katër miq më janë drejtuar me pyetjen retorike: “Si humbi Napoli kështu 2-4 në fushën e vet me Romën?”. E pra, ishte fjala për Kampionatin e një shteti tjetër, që ishte Italia. Asnjeri nuk më tha dy fjalë për ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë, që do të luheshin atë të dielë. Ndërkaq, për nja dy triditë me radhë me të drejtë, gazeta “Panorama Sport” merrej me jehonën e dopingut të Romela Begajt.
E ndërmjet këtyre ditëve u pa deri dhe në televizione se si Romela Begaj betohej mbi Kuran dhe mbi Flamurin Kombëtar se nuk ka marrë doping! Thuajse po më dukej që Shqipëria sportive më shumë po shqetë- sohej për humbjen e Napolit të Italisë sesa për “humbjen” e peshëngritjes së Shqipërië. Në të vërtetë, kjo e peshëngritjes pa dyshim përbënte ngjarjen e ditës. Kështu, ngaqë ishte fjala për dështimin dhe përjashtimin ndërkombëtar të Romela Begajt – një ndër sportistet më të mëdha që ka nxjerrë Shqipëria.
Madje, Kampionia e parë shqiptare e Europës në peshëngritje (2008). Për kujtesë historike, po rreshtoj këtu titujt që ajo ka fituar zyrtarisht, pra, jo ato që i janë hequr për shkak dopingu: 2005: Nënkampione e Europës për të reja. 2006: Medalje bronzi në Kampionatin Botëror për të reja. 2008: Kampione e Europës, Nënkampione dhe medalje Bronzi. 2008: Vendi i 6-të në Lojërat Olimpike. 2009: Kampione e Europës dhe medalje Bronzi. 2009: Kampione e dyfishtë e Lojërave të Mesdheut. 2010: Nënkampione e trefishtë e Europës. 2011: Medalje Bronzi në Kampionatin Botëror. 2012: Kampione dhe Nënkampione e Europës. Absolutisht në historinë e sportit shqiptar nuk mund të gjesh një sportiste të dytë që të ketë fituar tituj në nivele kaq të larta të sportit botëror.
Dhe përsëris: këto janë titujt e Begajt, që sot e kësaj dite nuk i ka anuluar askush. Pra, janë tituj zyrtarisht në fuqi. Çka do të thotë se, në këtë “curriculum” të saj nuk janë përfshirë këtu titujt botërorë, që asaj i janë hequr për shkak të dopingut, për fatin e saj, dy herë. E, që vetvetiu përbëjnë një dështim të rëndë të saj, por pa ia hequr asesi historinë madhështore të arritjeve të saj. Mirëpo, si ka mundësi që nuk u tha asnjë fjalë, argument, qëndrim për së mbari prej drejtimit të sportit shqiptar mbas njoftimeve të dopingut të saj? A thua edhe këta e kishin mendjen te humbja e Napolit?
Madje deri te Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Komiteti Olimpik Shqiptar, Qeveria Shqiptare? Çfarë mund të thuhej? E çka nuk mund të thuhej!… Mund të thuhej se nuk është fajtore vetëm Romela Begaj dhe trajnerët e saj. Mund të thuhej se jemi të gjithë fajtorë. Jemi fajtorë, sepse drejtimin e sporteve në Shqipëri e kemi lënë në jo pak duar të pamerituara. Jemi fajtorë, sepse nuk kemi bërë asgjë, asnjë investim për të institucionalizuar, laboratizuar luftën kundër përdorimit të dopingut. Kësisoj, nuk ka dështuar vetëm Romela Begaj – sportistja më e famshme shqiptare e kohës. Ka dështuar shteti. Ka dështuar Qeveria. Ka dështuar Ministria.

Ka dështuar Komiteti Kombëtar Olimpik. Ka dështuar mendimi sportiv kombëtar. Ka dështuar gazetaria, sidomos ajo televizive, që ia ka mbushë mendjen rinisë shqiptare se e rëndësishme është humbja e Napolit të Italisë me Romën dhe jo Kampionati i futbollit të Shqipërisë. Po kështu, individualisht kanë dështuar të gjithë. Qysh prej presidentëve e kryeministrave të Shqipërisë, pritësit zhurmëmëdhej të Romelës para e mbas suksesit. Ata, të cilët tash e flakin tej Romelën, duke harruar se për të përfituar pikë politike, kanë pozuar me të e janë madhështorizuar pa asnjë të drejtë e pa asnjë meritë.
Megjithatë, kryedështuesja më e madhe qeveritare është Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, së cilës këto ditë nuk iu dëgjua zëri, nuk mori përsipër asgjë, të paktën për të ardhmen. I duhet të shkojë në Rusi e si e vogël që është, të marrë një përvojë qoftë dhe krejt të vogël për të mësuar se si po e përballojnë qeveria e shteti rus turpin e tyre të madh të dopingut masiv që i ka kapërthyer.
2. KUR “KUNDËR” – PROPAGANDA CENON SPORTIN SHQIPTAR…
Kështu pra, Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku publiciteti apo “propaganda” për sportin kombëtar është diçka e dorës së dytë. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këto përmasa në historinë e Shqipërisë. Absolutisht, është vështirë të gjesh një vend tjetër në Europë që pasqyrimin e sportit kombëtar ta ketë kaq në plan të dytë sa Shqipëria. Në Shqipëri mund të ndodhë që një ndeshje, qoftë dhe gjsmëfinale e Ligës së Kampioneve, një gazetë e përditshme shqiptare jo sportive t’i kushtojë një faqe të tanë me një koment “interneti” të kopjuar shpesh në mënyrën më amatoreske.
Shqipëria vetvetiu ka kaluar në “kundër – propagandë” (kundërnxitje) për sportin kombëtar. Kështu, nëse asnjë nxënës në Shqipëri nuk di, bie fjala, se sa është rekordi kombëtar i 100 metrave, e ndoshta as se sa është rekordi i kërcimit së gjati i sapo thyer prej Kampionit të Europës Izmir Smajlaj; e po kaq nuk di as sa është rekordi i 1500 apo i 3000 metrave me pengesa të Nënkampiones së Europës, Luiza Gega – këto dy shembuj na mjaftojnë për t’u bindur se “kundër- propaganda” për sportin kombëtar në Shqipëri është vërtet tejet “e zonja”.
Në Shqipëri kemi mbërritur deri aty saqë “Rubrika sportive” e televizionit publik kombëtar, edhe pse quhet pra “rubrikë sportive”, ajo propagandon vetëm një sport: futbollin. Ose më mirë me thanë, Kampionatin e Futbollit. Dhe nuk denjon të paktën as t’i ndryshojë emrin Rubrikës dhe t’i thotë “Rubrika e Kampionatit Kombëtar të Futbollit”. Kjo kritikë nuk na bën të harrojmë ndërkaq, që për fat, kohët e fundit ky televizion ka bërë një kthesë, duke transmetuar drejtpërsëdrejti ndeshje të rëndësishme të kampionateve të volejbollit e të basketbollit.
Është pak megjithatë. Përse ndodh kjo? Përveç të tjerave, edhe sepse në këte televizion ka jo pak të pamerituar, teksa ndërkaq, mësojmë se qenkan një ushtri e tanë: rreth 20 “gazetarë”, doemos një pjesë janë të rinj, sepse të rinjtë duhet të vijnë. Po si kanë ardhur?… Siç e kemi stërthënë, është monotone, jologjike, që në një ditë të dielë në mbrëmbje, e pakta katër televizione, afërsisht në të njëjtën orë, në të njëjtin format, në të njëjtën mënyrë, me të ftuar “skematikë” në studio, shumica e të cilëve pa një përgatitje të posaçme, këmbë mbi këmbë, flasin për Kampionatin e Futbollit të Shqipërisë si të ishim në një kafene.
Në një kohë që atë të dielë, mund të ketë pasur edhe veprimtari të tjera sportive si basketboll, volejboll a diçka tjetër jofutbollistike. Ndërkaq, tre a katër vëzhgues apo delegatë ndeshjesh të FSHF-së, me një vetësiguri si prej majës së Olimpit, bëjnë diktatin e moviolës së rasteve të dyshimta të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, përveç të tjerave, krejtësisht në mospërputhje me etikën e rolit të tyre. E, tash së fundi, ka dhe një risi tjetër: sapo ka nisë që të sjellim në studio edhe ata që shesin e blejnë futbollistë (agjentë të shitblerjes së futbollistëve).
Më e pakta që mund të thuhet është kjo: “lamtumirë gazetari”! E shihni se fjala “gjimnastikë” është zhdukur nga fjalori i propagandës (nxitjes) sportive. Kur dihet se gjimnastika ka qenë sport kryesor i gjimnazeve shqiptare qysh në themelimet e tyre. Kërcimin e kalit, paralelen, deri dhe unazat, traun e ekuilibrit i kemi pasë përditë para syve në shkollat tona! Nuk di a i ka çuar sot Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Ndërkaq, qitja, sporti që i ka dhënë Shqipërisë kampionet e para të Europës, ka kaluar në një harresë shembullore! “Kundër” – propaganda sportive në Shqipëri ka përmasa tejet hapësinore.
Nga ana tjetër, përpiquni të gjeni nëse i shihni të paktën nja tri kronika pamjesh të garave çiklistike të Shqipërisë në vit, ndonëse edhe ne po i afrohemi 100 vjet çiklizëm kombëtar. E me Rrethin e Shqipërisë për amatorë jemi pionierët e Europës. Siç e dini, më 1991 në Shtutgart të Gjermanisë, me cilësinë e presidentit të FSHÇ, e pata befasuar Kongresin Botëror të Çiklizmit me fjalën e mbajtur për këte afirmim tonin. Dhe përsëris: a e kujtoni se çka bënte përditë kolegu Ahmet Shqarri me Rrethin e Shqipërisë me transmetimet e drejtpërdrejta nga finishet çiklistike të qendrave të Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Elbasanit, Korçës.
Mjerë ai popull që nuk merret me veten e tij! Nuk ka për të përparuar kurrë. Por.. vetëm Barcelona, Juventusi, Formula 1, Motoçiklizmi… Shtëpi të tjetërkujt. Bukur megjithatë, po jo deri aty sa të harrosh shtëpinë tënde.

3. KUR NUK THEMELOHET SHOQATA E “MBROJTJES SË SPORTIT KOMBËTAR”…
Mû (pikërisht) këtu lind pyetja; kush e drejton sportin në Shqipëri? Po aq sa ç’mund të pyesim edhe disi më ndryshe: kush e çdrejton sportin në Shqipëri? Ka ndodhur më 1936, që një prej kollosëve të mendimit dhe organizimit të sportit shqiptar, Dr.Vasfi Samimi, veteriner, gazetar, sportist, dramaturg, shkrimtar, mendimtar i kulturës dhe i sporteve, kritik, kryeredaktor, mbasi dha dorëheqjen prej drejtuesit të KATSH (drejtimi i sportit shqiptar), qe bërë nismëtar i krijimit padyshim të të parës shoqatë joqeveritare të sportit shqiptar. E quajti Grupi “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”.
Dhjetë kanë qenë parimet e “Mbrojtjes së Sportit Kombëtar”. Kemi të bëjmë me dekalogun e vetëm të derisotëm për sportin shqiptar. Po kujtojmë pikat e tij: atë të “vënies së gjithë diturive të anëtarëve të Grupit në disponim të sportit shqiptar”; atë “të asnjë ndihmë financiare prej Federatës, por nga nismat e privatëve”; atë “të çdo gjashtë muaji të një vepre në dobi të sportit shqiptar”; atë “të një etydi serioz për sportin shqiptar”; atë “të një propagande të dobishme në shtyp e të një ndihme materiale në një shoqëri sportive”; atë ‘të zbulimit të talenteve më të mira e të formimit të shoqërive të vogla”; atë “të anëtarëve të Grupit me njerëz mbi 23 vjeç dhe që kanë një aktivitet mendor ose trupor, e të cilët nuk mund të marrin pjesë në kampionatet kombëtare”; atë “të ushtrimit të sporteve për vete dhe jo për publikun”; atë “të zbatimit të “Fair Play” (e shkruar kështu fjalë për fjalë prej Dr.Samimit); atë “të anëtarëve, të cilët gjithmonë të flasin për dobinë e sportit dhe të kritikojnë autoritetet për gjithçka që cenon emrin e mirë të sportit”; atë “të veprimeve dobiprurëse të Grupit dhe të bamirësisë në botën e sportit”; atë “të manifestimeve të posaçme për familjet që ndihmojnë fëmijët e tyre të merren me sport”…
E gjithë kjo filozofi e kësaj shoqate të parë joqeveritare në sportin shqiptar, është po ashtu edhe për të sotmen, ndonëse i përket vitit 1936. Nuk ia vlen ta komentosh. Emrat për anëtarë rreth kësaj shoqate janë edhe më domethënës: Ing. Qemal Butka, Kolonel Aqif Përmeti, Kolonel Oakley Hill, Said Toptani, Dr.Samimi, Dr.Jorgoni, Dr.Ali Erebara, Eqrem Stërmasi, Gaqo Gogo, Anton Mazrreku, Ilia Daliu, Anastas Shundi, Dr.Naim Vreto, Nikolla Verbica, Dr.Stefan Shundi, Llazar Miha, Kleanthi Prosi, Jorgji Koja, Muhamed Halili, Hajdar Jakupi, prof, Avni Zajmi, Selman Stërmasi, Anastas Koja….
Për fat, “Mbrojtja e Sportit Kombëtar” nuk pati jetë praktike të gjatë. Vlejti si një përhapës, diçka si të thuash, iluministe me idetë e filozofisë së tij. Dy vjet më parë, më 1934, në duart e të gjithë sportistëve të Shqipërisë, ka qarkulluar një fletë katër faqëshe prej kartoni, si një lloj pasaporte “sportive” me titullimin “Dekalogu i Djalit Sportist Shqiptar” e nënshkruar prej Princeshës Myzejen Zogu – “patronesha e nalt e Sportit”, siç përcaktohej prej dhjetë pikave të së cilës po shkëpusim vetëm këto tri: 1.”Mens sana in corpore sano”. 2.”Palestra duhet t’i japë trupit fuqinë dhe shpirtit guximin”. 3.”Kush i ndihmon Sportit i ndihmon atdheut”. Nuk e jap këtë shembull për të ngritur lart rolin e Mbretërisë Shqiptare, përderisa dihet se Mbretëria vuri themelet e ndërtimit të sportit shqiptar. Po aq sa që duhet thënë se regjimi komunist i ngriti më lart këto themele.. Këta shembuj, që për hir të së vërtetës mbeten historikë, më bën të kërkoj me zë të fuqishëm: për sot, krijimin urgjent të Shoqatës “Për mbrojtjen e Sportit Shqiptar”.

Ia vlen të krijohet, sepse as Shteti, as Qeveria, as Ministria, as Komiteti Olimpik Kombëtar e as Federata Sportive, diku më pak e diku më shumë, nuk po ia arrijnë ta mbrojnë apo shpëtojnë sportin shqiptar. Në mënyrë të veçantë nuk po ia arrin Ministria e Arsimit dhe Sporteve, ajo që përveç të tjerave, ka bërë joekzistent Këshillin Kombëtar të Sporteve – këtë model të famshëm anglo-sakson që e ka përvetësuar gjithë bota. Dhe jo vetëm me një pjesë të mirë të pamerituarish që bëjnë pjesë në këte Këshill, por mbi të gjitha me as përmendjen e tij, qoftë dhe për një mbledhje të vetme, për një vendim të vetëm, për një ndërmarrje të vetme, për një studim të vetin.

Dhe këtë nuk e them si gazetar, por si një prej ish- anëtarëve themelues të Këshillit të parë Kombëtar të Sporteve në fillim të viteve ’90 – drejtuar nga Ministria e Kulturës së kohës me kryetar prof. Vesel Rizvanollin. Pati dhënë shembullin e qartë të rolit të tij të rëndësishëm për aq sa bëri. Ndërkaq, a nuk ka ardhur koha – në mos ka kaluar – që të pyesim: kush ka të drejtë të punojë për drejtimin e sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve? Pyes kësisoj, ngaqë sot në Shqipëri vështirë të gjesh diku kritere, aftësi, konkurs, dituri, ndërgjegje kombëtare, dashuri mbi veten për Atdheun, në këtë rast për sportin kombëtar. Shqipëria sportive sot ka hequr dorë gati krejtësisht nga mbështetja edhe në përvojën e saj, aq sa ajo është.

Dhe është bërë tejet e vështirë t’i gjesh njerëzit e shquar të një përvoje të sportit shqiptar që të jenë të pranishëm sado pak në mjedise, si të thuash, mendimtarësh të sportit kombëtar. Më shkon mendja te Vangjel Koja e te Kreshnik Tartari; te Ismet Bellova e te Sokol Morina; te Shyqyri Rreli e te Bejkush Birçe; te Hysen Domi, Renato Radoja e Agim Fagu; te Ramazan Rragami e Petraq Ikonomi; te Marjeta Zaçe, Mirush Deliallisi e Azis Rruli; te Vesel Rizvanolli e Albert Karriqi; te Aleko Pilika e Teodor Vaso; te Esat Ademi e Ferid Berberi; te Qemal Shalsi e Petrit Stefa, te Pandi Gëllçi e Todi Driza; te Kristaq Miço e Eqrem Shaba; te Leonidha Çuri e Mexhid Haxhiu; te Astrit Greva, Bujar Shehu, Vaso Shaka e Filip Guraziu; te Arqile Marko, Engjëll Gorishti, Polikseni Gorishti e Flora Toto; te Petrit Qendro, Lumturi Markolaj e Ajet Toska; te Jorgji Shundi e Arsen Hoxha; te Elizabeta Karabolli, Diana Mata e Ermira Dingu…
Nuk besoj se gaboj kur them se përvoja e tyre e pasur, vështirë të thirret sado pak. Në sportin shqiptar, sot është krijuar një hendek ndërprerjeje midis përvojës dhe risive të kohës, pa bashkëpunimin e të cilave, nuk mund të ketë përparim. Shkoni e shihni në vendet e tjera të Europës se sa fort mbështeten te mendjet e tyre sportive të përvojës. Shkoni edhe te Federatat Sportive Ndërkombëtare dhe do të shihni se sa vend zë ky brez. Është ky brez që do t’i bënte nder Shqipërisë për të themeluar Shoqatën “Për mbrojtjen e sportit kombëtar” dhe për të ndihmuar sado pak për të shpëtuar diçka të madhe: vlerat e sportit shqiptar, që përjetojnë harrimin më spektakolar që mund të merret me mend!…

4. KUR PRISHET RADHA E MERITAVE DHE INJOROHET HISTORIA…
Për të kujtuar një traditë, çdo vit, përcaktoj se cilët janë 5 sportistët më të mirë të vitit për Shqipërinë. Këtë përcaktim po e bëj edhe për vitin 2017, ku sipas meje “Pesë Sportistët Më të Mirë”, duke u nisur nga arritjet e tyre janë këta:
1.IZMIR SMAJLAJ: Atletikë: Kampion i Europës në kërcimin së gjati.
3.DANIEL GODELLI. Peshëngritës – Kampion i Europës.
4.ERKAND QERIMAJ: Peshëngritës – Nënkampion i Europës.
4.DAVID NIKOLLI: Kampion i Ballkanit në vrapimin 3000 metra me pengesa.
5.ORGES SHEHI: I pari shqiptar 40 -vjeçar në histori – pjesëmarrës në grupet e Kupës së Ligës së Europës.

Tash ejani e më quani të njëanshëm po të doni. Ngaqë ndër pesë më të mirët e vitit, vetëm njëri është futbollist. Të gjithë të tjerët janë, jo futbollistë, por atletë dhe peshëngritës. Kthejuni edhe një herë këtyre pesë radhëve të mësipërme. E shihni se janë Kampionë apo Nënkampionë të Europës. Në një farë mënyre, ky përcaktim “vetjak” i imi është një lloj dobësie për anketën e famshme të “Sportit Popullor” (“Sportit Shqiptar”), të cilën e kam drejtuar për 18 vjet me radhë, madje në të shumtën e rasteve edhe me spektakle të jashtëzakonshme artistike-kulturore-sportive të para prej nja 3000 sportdashësve. Ishte anketa mitike për ne, anketa e “Sportit Shqiptar” pra, gazetës së parë sportive në Ballkan (1935), të cilën pa pikë turpi Shqipëria e zhduku nga qarkullimi!
Dhe përgjegjësi për këtë është vetëm një: Ministria e Arsimit dhe e Sporteve. (Për fat, fundi i vitit 2017, na rezervoi një befasi e madhe. Ishte gjesti i Presidentit të Republikës, Ilir Metës, i cili organizoi një pritje mbrëmjeje me fitues të këtyre anketave, duke i thirrur një kujtese historike vitesh të shumtë. Nuk di nëse ky gjest ka ndikuar sado pak për të shpëtuar e mbrojtur traditën dhe historinë e sportit shqiptar). E shihni se 5 të shquarit “e mi” të mësipërm, janë krejt të rrallë, krejt të pakët për ne në lartësitë europiane – çka flet për varfërinë e tashme të arritjeve ndërkombëtare të sportit shqiptar. Nuk është një absurditet, megjithatë. Absurditet është kjo tjetra, që ndodhi pak më parë, kur peshëngritës të mëdhenj shqiptarë të Europës, iu kundërvunë një dhjetësheje “zyrtare” të më të “Mirëve të Vitit”.

Në të nuk kishte asnjë peshëngritës. Dhe shkaku? “Nuk promovojmë ata që marrin doping”, siç u tha me prepotencë! Mirëpo, Qerimaj e Godelli nuk kishin marrë doping. Të vjen vërtet keq që një forum olimpik sportiv gjykon kësisoji. Më keq se edhe Kanuni i Lekës i shekullit XV, që gjakun e merrte një me një. Pra, jo për shkak të njerit, të vriteshin pesë të tjerë! Ndërkohë, më kujtohet ndërkaq, një dëshirë e çfrenuar e ndokujt për shkrime portretesh të sportistëve. pa asnjë kriter, pa asnjë radhë meritash, pa asnjë radhë vlerësimi të matur.
Çka prej takimeve personale, shoh se po ngjallin një lloj revolte (për fat nuk kalon në cmirë) te shumë sportistë të shquar për një mosvlerësim të tyre sipas meritave e të vërtetave. Ndoshta ia vlen të rikthehet rubrika e viteve ’90, e gazetës “Sporti Shqiptar: “Më të mëdhenjtë – Ata që bënë historinë e sportit shqiptar”. I kushtohej, jo me miqësi, por me ndershmëri e drejtësi atyre që jetojnë ende, por edhe atyre që janë ndarë nga jeta. Ndodhi vitin që shkoi me lamtumirën e disa sportistëve historikë të Shqipërisë, që u përcollën pa asnjë nderim të veçantë.
Dhe të cilëve “kundër”- propaganda në fjalë, nuk iu kushtoi as edhe dy rreshta dhe as edhe një kronikë televizive sado modeste. Dikur, gati çdo javë përmendeshin emrat e drejtuesve të fiskulturës dhe sporteve në qytete e krahina. Mbreti Zog i mori nga Italia, qysh prej Ratit në Shkodër e deri te Lissoni në Korçë. Regjimi që shkoi i kishte të tijtë, por shumë prej tyre mbetën të paharrueshëm: prej një Lame Konomi e Bahri Axhemi, prej një Mustafa Çelkupe apo një Dhimitër Bardhi sa për të kujtuar vetëm pak prej më klasikëve. E sot? Do të lodheni kot.
Nuk do të gjesh askund emrin e një drejtuesi të sporteve dhe fiskulturës në qytete apo prefektura të Shqipërisë që quhet Demokratike. Me sa duket qartazi ky funksion në Shqipëri është zhdukur. Ikën kryetarët e fiskulturës në rrethe, por kujtoj që për pak kohë u krijuan komitetet olimpike rajonale, që u zhdukën rrufeshëm. A thua e ka gabim një ndër vendet më sportive të botës, Italia fqinje, prej së cilës kemi marrë shekullin e shkuar përvojën e themelimeve tona sportive, e cila sot ka në funksion të plotë organizimin rajonal (regional) të krahinave të saj, të mirënjohurit “Comitati Regionali e Delegati Provinciali CONI (Komiteti Olimpik Kombëtar Italian)?…
E dini se kush është Shqipëria sportive? Eshtë i vetmi shtet në Europë, e ndoshta edhe në botë, kryeqyteti i së cilës (Tirana) po hyn në vitin e tretë të jetës së saj pa asnjë pistë të atletikës së lehtë! E tash po më pëlqen ta mbyll këtë shkrim – që në të vërtetë ka të bëjë me mungesën e atdhetarisë për përparimin e sportit shqiptar – me një kujtesë të shpejtë përmes këtyre tri fotove. Njëra i përket kompleksit sportiv të Gjimnazit të Shkodrës ndërtuar në fillim të viteve ’30 të shekullit të shkuar. Dy të tjerat i përkasin Shkollës Plotore të Vlorës së viteve ’20, por të shekullit të shkuar.
I shihni se janë pamje shekullore të një ekspansioni kuptimplotë të përhapjes së sporteve dhe edukimit fizik në një Shqipëri vetëm pak vite mbas Pavarësisë. Dy të Vlorës i përkasin saktësisht vitit 1926-’27! Nuk janë pamje të nxënësve apo shkollave të Anglisë së asokohe, por të Shkodrës e të Vlorës së Shqipërisë. Dhe kur pra? Plot 85 e 90 vjet më parë! Edhe për këto tri pamje shqiptare të një stili krejt perëndimor, titulli i këtij shkrimi të sotëm mbetet aktual. Vërtet, “Kush e (ç) drejton sportin shqiptar në këtë kohë të “kundër”- propagandës ndaj tij”?…
Titulli i analizës: Kush e (ç) drejton sportin shqiptar dhe propaganda “kundër”/ ndaj tij.
Burimi: http://www.panorama.com.al/speciale-dopingu-nuk-ka-deshtuar-romela-begaj-por-te-gjithe-edhe-qeveria-edhe-ministria/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb