Gjendja sociale e ish-të përndjekurve politikë sot nuk është një situatë për t’u marrë shembull, për shkak të varfërisë në të cilën ata ndodhen. Për këtë kategori të shoqërisë shqiptare nuk ka ndodhur vetëm dënimi apo internimi, por edhe indiferentizmi i institucioneve. E tillë është historia e një familjeje pogradecare, e cila prej disa ditësh endet rrugëve të qytetit pa shpresë dhe pa ditur se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre.
Familja Bazelli jetonte prej 30 vitesh në një godinë shtetërore, në të cilën u vendosën gjatë vitit 1991. Ditëve të fundit bashkia e Pogradecit në adresë të kësaj familjeje ka dërguar disa dokumente për lirimin e godinës në mënyrë vullnetare me argumentin se ambienti do të vendoset në dispozicion të kopshtit që ndodhet në të njëjtën godinë.
Por, sipas kësaj familjeje, nuk janë dhënë më tepër detaje në lidhje me zhvendosjen, duke bërë që ata të refuzonin lirimin e ambienteve në mënyrë vullnetare. Kaq mjaftoi që në 8 shtator kjo familje të “hidhej” me forcë në rrugë pa pasur mundësi të siguronin gjërat bazë nga shtëpia. Zinet Bazelli kujton se jashtë banesës ka dalë me dhunë nga punonjësit e bashkisë vetëm me plaçkat e trupit, pa pasur mundësinë të tërhiqte asgjë nga shtëpia.
Vergjinush Bazelli rikujton edhe njëherë tmerret që ajo dhe familja e saj kanë përjetuar në kampet apo burgjet në qytete të ndryshme të Shqipërisë kryesisht në Fier të cilat u bënë vendet e vuajtjeve të shumëfishta për vite me radhe për anëtarët e kësaj familje. Një vajzë, e cila ka lindur në kamp të Fierit kujton me lot në sy veshtiresite qe kaloi familja e saj e ndërsa sot serish po përballen me përbuzje nga shteti.
Që nga viti 1991 e deri më sot nga pikëpamja e legjislacionit konstatohet që kjo shtresë është e rehabilituar, por ajo cfarë ndodh në terren është krejt ndryshe. Familja Bazelli edhe pse gëzon statusin e të përndjekurve sot endet jashtë pa një strehë ndaj dhe kreu i shoqatës së të përndjekurve i bën thirje shtetit të hedhin sytë në këto familje që gjithë jeta u ka shkuar vuajtje. Si dëshmimtar i vuajtjes dhe përcmimit Et’hem Fejzollari reagon ashpër ndaj këtij veprimi të bashkisë duke kërkuar nje banese per familjen Bazelli.
Në lidhje me situatën e familjes Bazelli reagoi edhe Bashkia e Pogradecit, e cila bëri të ditur se për lirimin e ambienteve të banuara, nga institucioni u dërguan disa shkresa për lirim vullnetar por një gjë e tillë nuk ndodhi. Sipas tyre, Bashkia Pogradec dhe Zyra e Strehimit i kanë ofruar familjes bonus qeraje për 2 vjet e cila do të miratohej me vendim këshilli bashkiak, por familja Bazelli e refuzoi këtë bonus me deklaratë me shkrim.
(BalkanWeb)
