Në maj të një viti më parë, në News24 u transmetua reportazhi i gazetarit Osman Stafa, i cili fliste për një nënë, e cila jeton në Baldushk të Tiranës së bashku me tre djemtë e saj me probleme të shëndetit mendor. Tre djemtë janë të moshës 42-vjeç dhe binjakët 39-vjeç.

Për shkak të problemeve të tyre, ata humbnin në pyllin që ishte pranë shtëpisë së tyre dhe ishte nëna e tyre, ajo e cila dilte për t’i kërkuar.

Njëherë i gjente, e njëherë jo, tregon ajo.

Paralel më këtë dramë të fortë sociale, ajo së bashku më fëmijët e saj, jetonte në varfëri të mjerushme, për shkak se shtëpia e vjetër, e dëmtuar edhe nga tërmeti i nëntorit 2019-të, rrezikonte t’i zinte brenda. Shtuar vuajtjeve të mëdha, nënës asnjë ditë nuk i dhanë ndihmë institucionet shtetërore. Asnjë punonjës i Shërbimit Social Shtetëror i Bashkisë së Tiranës, apo edhe i Ministrisë së Mirëqenies Sociale nuk ndihmuan nënën në problemet e saj.

Sikur të mos mjaftonte kjo, dëmet e tërmetit në shtëpinë e 66-vjeçares, u vlerësuan në masën 36 milionë lekë. Para këto të cilat edhe sot e kësaj dite nuk janë marrë nga nëna, për shkak të procedurave të ndërlikuara.

Pas këmbnguljes së vazhdueshme të gazetarit të News24 Osman Stafa, u gjetën donatorët, të cilët rreth 5 muaj më parë, morën përsipër për të ndërtuar shtëpinë për nënën.

Një shtëpi e madhe, 3+1, ishe dhurata që disa biznesmenë vendosën t’i bënin nënës dhe fëmijëve të saj.

“Nuk e mendoja kurrë se do të kisha një shtëpi të tillë. Nuk do ta kishim ndërtuar kurrë një shtëpi të tillë. Pacim jëtën e gjatë, për ta shijuar këtë shtëpi. Fëmijët nuk më ikin shumë në pyll tani më shtëpinë e re. Faleminderit nga zemra të gjithëve që më ndërtuan shtëpinë. Unë nuk kam sesi t’ua shpërblej, por juve ua shpërbleftë Zoti”, tha nëna gjatë intervistës me gazetarin Osman Stafa.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb