Mbrëmje e çmendur futbolli në Jan Breydel Stadion, ku Club Brugge KV dhe Atletico Madrid barazuan 3-3, duke lënë të hapur çdo skenar për ndeshjen e kthimit në Madrid.

Atletico e nisi me vrull dhe kaloi në avantazh që në minutën e 8-të me penalltinë e realizuar nga Julian Alvarez. Më pas, protagonist u bë Jan Oblak, i cili me disa pritje vendimtare mbajti në lojë madrilenët përballë presionit të vendasve. Në fundin e pjesës së parë, në kohën shtesë, Ademola Lookman dyfishoi shifrat pas asistit të Antoine Griezmann, duke çuar rezultatin në 0-2 në pushim.

Reagimi i Bruges në pjesën e dytë ishte i menjëhershëm: Raphael Onyedika ngushtoi diferencën, ndërsa Tresoldi barazoi në 2-2. Kur ndeshja dukej se po rrëshqiste nga duart e spanjollëve, hyrja e Alexander Sørloth rezultoi vendimtare: norvegjezi goditi traversën dhe më pas detyroi Ordonez të shënonte autogol për 2-3.

Por drama nuk kishte përfunduar. Në minutën e 90-të, Christos Tzolis realizoi golin e 3-3, të konfirmuar pas rishikimit me VAR, duke ndezur festën në stadium dhe duke vulosur një sfidë spektakolare.

Pas ndeshjes, trajneri Diego Simeone theksoi se ekipi reagoi mirë në momentet e vështira dhe se barazimi ishte rezultat i drejtë, duke pranuar se në Champions League kërkohet më shumë qëndrueshmëri në mbrojtje:

“Një ndeshje zgjat 90 minuta, jo vetëm 45. Reaguam mirë në momentet e vështira dhe skuadra garoi siç duhet ndaj një kundërshtari të fortë. Barazimi ishte i drejtë, sepse të dyja ekipet krijuan raste.Tani kemi ndeshjen e kthimit në shtëpi dhe duhet të japim maksimumin. Na duhet mbështetja e tifozëve, sepse luajmë çdo tre ditë dhe objektivi ynë është të fitojmë. Në Champions League duhet të jesh i fortë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, dhe sot na mungoi qëndrueshmëria në fazën defensive.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb