Me 18 pikë në 7 ndeshje, Bayern Munich i bashkohet Arsenal, si dy ekipet e vetme që kanë siguruar një biletë direkt për në fazën e 1/8 në Champions League. Ekipi i Kompany triumfoi 2-0 përballë Royale Union, një sfidë e vendosur nga Harry Kane.
Kapiteni i “Tre Luanëve” realizoi një “dopietë” golash, ku fillimisht me kokë në shtyllën e parë tundi rrjetën në minutën e 52-të duke zhbllokuar ndeshjes. Tre minuta më vonë, Bayern fitoi një 11-metërsh dhe nga pika e bardhë, Harry Kane u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat. Pavarësisht se me një lojtar më pak pas minutës së 63-të, ku Kim u ndëshkua me karton të kuq, Bayern menaxhoi me qetësi pjesën e mbetur të këtij takimi, madje kishin shansin të realizon edhe golin e tretë, por si rrallë herë, Harry Kane gaboi nga pika e bardhë e penalltisë duke përplasur topin në traversë. Pavarësisht këtij detaji, në radhët e Bayern festojnë për këtë kualifikim të merituar.
Një fitore të madhe në xhiron e 7-të siguroi edhe Liverpool. Të kuqtë e Arne Slot triumfuan pastër 0-3 në transfertë përballë Marseille, një sukses shumë i rëndësishëm që i ngjit në vendin e katërt në kuotën e 15-të pikëve duke i afruar gjithnjë e më shumë me kualifikimin për në fazën direkt të Champion League. Szoboszlai realizoi një gol shumë të bukur në limitet e pjesës së parë, një ekzekutim perfekt nga goditja e dënimit. Në fraksionin e dytë, Rulli devijoi topin në portën e tij duke i dhuruar Liverpool golin e dytë. Për të mbyll llogaritë me Marseille mendoi Gakpo, me sulmuesin holandez që finalizoi me shumë klas një kundërsulm të shpejtë.
Një fitore minimale, por shumë të rëndësishme siguroi edhe Chelsea përballë modestëve të Pafos. Ndryshe nga se pritej, blutë hasën shumë vështirësi për të zhbllokuar këtë takim. Pavarësisht se krijuan raste pafund, goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 78-të ku Caicedo me kokë dërgoi topin në rrjetë. Me këtë fitore, Chelsea ngjitet në vendin e tetë në kuotën e 13 pikëve.
