5 gola, raste pafund për shënim, një futboll i “çmendur”, një super sfidë Newcastle-Liverpool, më të kuqtë që festojnë në fund pas një goli në minutën e 10-të shtesës. Tifozët shijuan një sfidë spektakolare, kjo falë edhe Newscastle, të cilët edhe pse më 10-të lojtarë nuk u dorëzuan deri në fund. Ekipi i Slot vijon ecurinë perfekte edhe këtë sezon, 2 ndeshje 6 pikë të plota.
Të kuqtë kaluan në avantazh minutën e 35-të, me Gravenberch që gjeti cepin e portës pas një goditje të fortë nga distanca. Në fundin e pjesës së parë, në minutën e 45-të, Gordon ndërhyri ndaj Van Dijk, me arbitrin që pas rishikimit të VAR e ndëshkoi me karton të kuq.
Liverpool i bëri një nisje me gol edhe fraksionit të dytë, ku blerja e tyre e re, Ekitike dyfishoi rezultatin. Newscastle jo vetëm që nuk u dorëzuan, por “qymyrxhinjtë” u rikthyen në lojë në minutën e 57-të, me Guimaraes që ngushtoi shifrat në 1-2. Të shtyre dhe nga tifozët, Newcastle befasoi të kuqtë në minutën e 88-të, me Osula që solli festë në stadium duke barazuar rezultatin.
Në një përpjekje të fundit, Slot bëri dhe dy zëvendësime në minutën e 96-të duke hedhur në fushë edhe Rio Ngumoha. Në limitet e shtesës, në frymën e fundit, Liverpool me një aksion model gjeti golin e fitores, ku talenti anglez, 16-vjeçari Ngumoha me një goditje plot klas i dhuroi kampionëve një fitore të madhe në fushën e Newcastle. Me këtë sukses, të kuqtë mbajnë hapin e Tottenham dhe Arsenal.
Më shumë se sa fitorja e Liverpool, mediat në ishull i bënë jehonë sulmuesit 16-vjeçar, talentin anglez Rio Ngumoha.
(BalkanWeb)
