Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24, ka deklaruar se Partia Socialiste do të vijojë me reformat në rritjen e pagave në sektorin publik, çka sipas saj ndikon pozitivisht edhe në sektorin privat.
Ajo theksoi se prioritet mbetet integrimi në Bashkimin Europian, ndërsa bëri me dije se parlamenti po planifikon një godinë të re për seancat plenare. “Nuk e bëj këtë punë për arsye materiale, por për vokacion për të shërbyer,” u shpreh Spiropali, duke nënvizuar se investimet do të vijojnë në infrastrukturë, energji, bujqësi dhe turizëm për mirëqenien e qytetarëve.
Elisa Spiropali: PS do vazhdojë me politikën e rritjes së pagave në sektorin publik dhe kjo shkakton rritje të pagave dhe tek sektori privat. Do vijojmë të zhvillojmë infrastrukturën, të vijojmë proceset energjetike të Shqipërisë, për bujqësinë, do vijojmë të investojmë për rritjen e turizmit, për mirëqenien e qytetarëve dhe prioriteti i prioriteteve është integrimi në BE. Kjo është një ëndërr, që është kthyer sot në një ardhmëri që mund të arrihet. Procesi i integrimit është një prioritet i parlamentit, pasi përafrimi i legjislacionit e bën të rëndësishëm rolin e parlamentit. Kuvendin do ta bëjmë gati për një godinë të re të seancave plenare, siç e meriton një vend që do anëtarësohet në BE. Ne një projekt e kemi dhe besojmë se së shpejti do ta diskutojmë, teksa na nevojitet financimi i duhur. Nuk e bëj këtë punë për arsye materiale, por e bëj për vokacion për të shërbyer.
(Balkanweb)