Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbajti sot fjalën e saj në sesionin e 12-të plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), duke vënë në dukje arritjet e Shqipërisë gjatë presidencës njëvjeçare të këtij procesi dhe duke theksuar angazhimin e vendit për integrim të plotë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Në prani të delegacioneve parlamentare nga vendet e rajonit, përfaqësuesve të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe të Asamblesë së Vendeve Balltike, Spiropali theksoi se Shqipëria e ka shndërruar konektivitetin rajonal dhe integrimin europian në prioritete strategjike.

Ajo përmendi Samitin e Gjashtë të Komunitetit Politik Europian të zhvilluar në Tiranë më 16 maj, si një dëshmi e rolit të ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe theksoi se pjesëmarrja e saj në Samitin Europa Juglindore–Ukrainë në Odesa do të shërbejë për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Kuvendi i Shqipërisë ju mirëpret për të bashkëpunuar, ndërsa Shqipëria ju mikpret edhe si turistë,” u shpreh Spiropali, duke theksuar transformimin e vendit nga izolimi i vitit 1990 në një nga destinacionet më tërheqëse turistike në Europë.

Kryeparlamentarja vuri në dukje përparimet konkrete të Shqipërisë në fushën e konektivitetit, duke përmendur rritjen e kapaciteteve të Aeroportit të Rinasit, ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe projektet hekurudhore me Prishtinën si shembuj të suksesit në përmirësimin e infrastrukturës rajonale.

Spiropali e mbylli fjalën me një thirrje për të shfrytëzuar të gjitha platformat e bashkëpunimit – nga Procesi i Berlinit te Plani i Rritjes së BE-së – për të ndërtuar një rajon më të zhvilluar, më të lidhur dhe më të sigurt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb