Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë Ndërkombëtar, Forumin Sir Bani Yas në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjatë qëndrimit të saj në EBA, Spiropali u prit në një takim nga Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të EBA-s, i cili organizon edhe forumin e nivelit të lartë.
Spiropali e cilësoi zyrtarin e lartë të Emirateve, një mik të nderuar të Shqipërisë, duke theksuar se, “dy vendet tona nuk i bashkon më thjesht dhe vetëm marrëdhënia miqësore dhe vlerat e përbashkëta, por një agjendë e pasur bashkëpunimi”.
Në takim u fol ndër të tjera edhe për hapjen e ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë, për çuarjen përpara të projekteve strategjike në infrastrukturë, energji, inovacion, turizëm e fusha të tjera interesi të ndërsjelltë.
Spiropali u takua edhe me ministren për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Reem Bint Ebrahim Al Hashimy.
Në fokus të takimit ishte vijueshmëria e projekteve madhore si projekti transformues i Portit të Durrësit, Linja e Interkonjeksionit Energjetik mes Shqipërisë, Italisë dhe EBA, projektin Smart City për rritjen e sigurisë në hapësirat publike dhe të tjera bashkëpunime, shenjë e partneritetit të shkëlqyer mes dy vendeve tona.
