Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka ndarë detaje nga takimi i saj me Papa Françeskun, zhvilluar së bashku me familjen e saj gjatë një vizite zyrtare në Vatikan.

Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në News24, Spiropali e përshkroi këtë takim si një përvojë të veçantë dhe emocionale, e cila la gjurmë të thella te ajo dhe të afërmit e saj.

Ajo theksoi se Papa Françesku përfaqësonte një zë të fuqishëm në mbrojtje të të dobëtëve dhe një udhërrëfyes moral në një botë ku ka kriza vlerash. Gjatë bisedës me Atin e Shenjtë, ai e ka pyetur Spiropalin se si ia del që të përballojë një Parlament, ku burrat bërtasin. Ndërsa përgjigja e Spiropalit ka qenë se “nuk është tepër e re dhe se ata që bërtasin nuk janë aq burra”.

Elisa Spiropali: Kam zhvilluar një takim me Papa Franceskun, bashkë me familjen time. Edhe fëmijët e mi e kanë përjetuar si një moment shumë të bukur. Humbja e Papa Franceskut është humbje për mbarë botën. Ishte një zë tepër i fortë në mbrojtje të të pamundurve, më të dobëtit, ishte një fanar moral në një botë të çoroditur moralisht. Papa më tha sesi ia del që të përballosh një Kuvend, se dukesh shumë e re, si ia del të përballosh më tha një parlament, ku duhet të kesh shumë burra që bërtasin. Unë i thashë “Shenjtëria juaj”, i thashë dhe “unë nuk jam aq e re dhe ata nuk janë aq burra”. “Burrnia nuk varet as kur fyen një grua, as kur bën akte të pandenja, është çështje karakteri dhe nuk varet nga gjinia”. Kjo nxiti humor te Papa Francesku.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb