Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u prit në një takim nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë edhe fushën e ekonomisë dhe investimeve. Po ashtu, edhe në përgatitjet për mbajtjen e sesionit të ardhshëm të takimit ndërqeveritar G2G.

Spiropali thekson se bashkëpunimi ndërinstitucional mes dy vendeve është përkthyer gjithmonë në rezultate të prekshme për jetët e qytetarëve tanë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryediplomatja shqiptare solli në vëmendje njohjen e përbashkët të diplomave dhe gradave shkencore, njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët, kontrollet e përbashkëta dhe lehtësimi i kalimit kufitar, si dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike.

Kryeministri Mickoski e vuri theksin te aspirata europiane e të dyja vendeve, të cilat besojnë te integrimi në BE si një proces i bazuar plotësisht në meritë.

Ministrja Spiropali deklaroi se “partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve tona do të vijojë të forcohet, me fokus të qartë te projekte dhe rezultate konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe afrojnë më tej dy shoqëritë”.

Gjatë takimit me kryeministrin Mickoski, Spiropali theksoi se “faktori shqiptar në RMV është jo vetëm një komunitet shtetformues i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, por edhe një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegruese”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb