Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë ditën e nesërme, datë 25 shkurt, një vizitë zyrtare në Kosovë ku do të pritet nga krerët më të lartë të shtetit.

Gjatë kësaj vizite në Prishtinë, Spiropali do të pritet fillmisht nga homologu i saj, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca.

Më tej, Ministrja do të pritet në takime të veçanta nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, si dhe nga Kryeministri Albin Kurti.

Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.

Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.

Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjitike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.

Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb