Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi sot se të enjten do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Ukrainë. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Spiropali kërkoi shtyrjen e seancës së parashikuar për në datën 12 qershor. Me kërkesë të saj, seanca e kësaj date pritet të zhvillohet të hënën e ardhshme, 16 qershor.

Por kërkesa e kryetares së Kuvendit u kundërshtua nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët e cilësuan të pabazuar dhe një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë parlamentare.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi tha se nuk ka arsye të qëndrueshme për të shtyrë seancën, pavarësisht nga vizita e Spiropalit në Kiev.

“Ti rrugë të mbarë për atje ku do të jesh në datën 12. I ke dhënë zgjidhje problemeve në Shqipëri, shko e zgjidh konfliktin në Ukrainë. Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë seancën e Kuvendit. S’ka asnjë arsye të shtyhet seanca nga data 12 për në datën 16, sepse kjo është miratuar nga Konferenca e Kryetarëve. Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaj, siç keni tentuar ta trajtoni në kohët e fundit”, tha Bardhi.

Ndërkohë, deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se zhvillimet e fundit në Kuvend përbëjnë një hap pas në përmbushjen e detyrimeve të integrimit.

“Gjuha juaj ishte ndarëse dhe përçmuese ndaj kundërshtarit. Foltorja e Kuvendit nuk mund të përdoret për këtë gjuhë. Kjo nuk është gjuha që kërkon integrimi.

Që kur ju keni marrë drejtimin e Kuvendit, kemi bërë hapa pas në Këshillin e Integrimit, në Komisionin e Posaçëm dhe në procesin elektoral. Zgjedhjet janë kriteri dhe kushti i parë në të gjitha raportet e integrimit, dhe ky kriter është shkelur në zgjedhjet e fundit”, tha ajo.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb