Sivjet 11 korriku shënon 30 vjetorin e masakrës së milicëve gjakatarë serbe kundër 8500 civilëve të pafajshëm, të moshuar, gra dhe fëmijë të pafajshëm nw Srebrenicë. Gjykata e Drejtësisë në Hagë e ka konsideruar atë gjenocid, duke dënuar shumë nga fajtorët, ndërmjet tyre ish Presidentin e Republikës Serbe të Bosnies, Radovan Karaxhiç dhe Kryekomandantin e Ushtrisë, gjeneralin famëkeq, Ratko Mlladiç.

Ky jubile tragjik është lënë disi në hije për shkak të luftës pas agresionit rus kundër Ukrainës dhe përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Afërme. Megjithatë, sidomos në rajonin tonë ai po përkujtohet me veprimtari të shumta, duke kulmuar me marshimin tradicional vjetor 110 km të gjatë të mijra njerëzve dhe familjarëve të tyre në rrugën që viktimat e pafajshme dhe të tjerë bënë për t’i shpëtuar atij gjenocidi të pashembullt dhe me shumë ceremoni të tjera përkujtimore.

Masakra e Srebrenicës ndodhi vetëm 5 vjet pas përmbysjes së komunizmit në Europën Qendrore dhe Lindore dhe shpërbërjes së ish Federatës Jugosllave; atëhere kur dukej se paqja do të sundonte kudo, ndërsa konflikti, lufta dhe masakra të tilla do t’i përkitnin të kaluarës.

Por, Srebrenica nuk shpërtheu kështu papritur e pa kujtuar dhe as brenda natës apo muajit. Përkundrazi, ajo ka një prejardhje politike, diplomatike dhe ushtarake e cila të çon pashmangërisht te forcat ultra nacionaliste serbe në Jugosllavi dhe sidomos në Republikën Serbe të Bosnies.

Ndërkohë, ajo masakër dhe në përgjithësi aktet e vëllavrasjes që ndodhën dhe më vonë atje kanë dhe një sfond diplomatik gri, që siç tregohet më poshtë përfundoi si dështim tragjik i të ashtuquajturës “diplomaci zbutëse” (appeasement diplomacy).

Në atë fillim të viteve 90, në trysninë e jashtëzakonshme të popujve të tyre dhe shembjes së Murit famëkeq të Berlinit, rregjimet komuniste në Europën Qëndrore dhe Lindore filluan të bien një e nga një; në atë kuadër u shpërbë dhe Republika Federative Jugoslave me 6 republika, me popuj nga 20 etni dhe nacionalitete të ndryshme. Mirëpo shumë shpejt doli në sipërfaqe me një brutalitet shumë më të egër dukuria e re totalisht e kundërt me shpresat dhe aspiratat paqebërëse të popujve në rajon. Ish Jugosllavia Federative u fut në spirale dhune, shfarosje masive dhe 4 luftra gjakatare. Vetëm gjatë konfliktit të përgjakshëm në Bosnie – Hercegovinë gjatë viteve 1992 – 1995 u vranë mizorisht mbi 100.000 vetë. E megjithatë, bashkësia ndërkombëtare bënte sehir; ajo ndërhyu vetëm kur opinionin ndërkombëtar e tronditi Masakra e Srebrenicës më 11 Korrik 1995.

Atëherë NATO bombardoi pozicionet luftarake serbe dhe më 1 Nëntor të po atij viti, palët në konflikt u shtrënguan të ulen në tryezën e negociatave në Bazën Ajrore Ushtarake në Dayton ( Dejton) në Shtetin e Ohajos, në SHBA.

Pas negociatave të vështira, të drejtuara me kompetencë nga ndërmjetësuesi emblematik, Ambasadori i ndjerë Richard Holbrook “doli tymi i bardhë“ dhe më 14 Dhjetor 1995 u nënshkrua në Paris Marrëveshja historike e Daytonit.

Megjithatë, shumë aspekte në atë Marrëveshje u lanë të “ngrira“ ose jashtë axhendës për shkak të papajtueshmërive mes palëve. Për pasojë, Daytoni nuk ishte marrëveshje e plotë, por me mangësi dhe difekte, të cilat vazhdojnë të kritikohen dhe sot e kësaj dite; por në fund të fundit ajo ujdi ishte alternativa e vetme dhe më e mira e mundshme. Deri më sot, megjithë pretendimet dhe përpjekjet jo të pakta, nuk është bërë dot më një marrëveshje më e mirë dhe as ka gjasa që të ketë dhe në të ardhmen. Ndaj të gjithë janë pajtuar me Daytonin.

Siç u përmend dhe më lart, pas dhunës së armatosur që shpërtheu në Bosnie, SHBA-të dhe BE-ja u detyruan të reagojnë me diplomacinë e tyre. Ato caktuan për hartimin dhe zbatimin e “ Planit të Paqes” për Bosnien dy ndërmjetësues elitarë, përkatësisht ish Sekretarin e Shtetit Syrus Vance dhe Lordin britanik David Oëen. Emërimi i tyre pati jehonë të gjerë ndërkombëtare. Lordi David Owen, sot 86 vjeçar ishte Ministër i Jashtëm në qeverinë e Kryeministrit Callaghan më 1977-1980; ndërkohë që BE-ja e kishte caktuar atë si zv.President të Konferencës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë gjatë viteve 1992 – 1995. Vazhdon të jetë aktiv në politikën britanike dhe partizan i njohur i BREXIT. Ndërsa Syrus Vance ( 1917 – 2002), shërbeu si Sekretar Shteti në Administratën e Presidentit Carter më 1977 – 1979; ashtu si Oëen, dhe ai ishte pacifist i thekur dhe fetishizues i diplomacisë.

Të dy u zgjodhën enkas si ish Kryediplomatë brilantë të dy shteteve tejet të fuqishëm, veçse tashmë në një rajon shpërthyes, ama kur agresorët serbë po bënin “kërdinë” dhe nuk donin t’ia dinin nga askush dhe për asgjë, veç forcës ushtarake. Ata e shpallën me jehonë të gjerë “Planin e Paqes“ për Bosnien më 2 Janar 1993.

Mirëpo, pasi shfleton dokumentat, pohimet dhe veprimet e mëvonshme të këtyre dy ndërmjetësuesve dhe ndihmësve të tyre, shihet qartë se pavarësisht nga emri, fama dhe përvoja e tyre e bujshme diplomatike, procesi paqebërës në Bosnie kishte dështuar ende pa filluar dhe se vetëm emrin e kishte të tillë.

Për fatin e keq të rajonit dhe të tyren, Vance dhe Owen nuk e shfaqën dot mjeshtërinë diplomatike në një rajon i cili “ziente” dhe për shkak të vetë profilit të tyre pacifist, që hiperbolizonte diplomacinë zbutëse/qetësuese, në një kohë kur agresorët serbë po bënin “kërdinë” pa ja ditur për askënd, veç forcës ushtarake. Ata synuan me shumë naivitet dhe jashtë çdo logjike politike që të zbatonin tanimë 55 vite më vonë në Bosnie–Hercegovinë “diplomacinë zbutëse të ish Kryeministrit britanik Neville Chamberlain( Çambërlen) përpara Luftës së II Botërore.

Thelbi i kësaj diplomacie është “marrja me të mirë” e armikut, agresorit, diktatorëve, me qëllim zbutjen dhe çtensionimin e situatës, për parandalimin e përshkallëzimit të veprimeve luftarake prej këtyre të fundit. Siç u përmend dhe më sipër, Ish Kryeministri britanik Chamberlain ishte i pari që e zbatoi këtë politikë në marrëdhënie me Hitlerin; ajo kulmoi me nënshkrimin e Marrëveshjes famëkeqe të Munihut në shtator 1938, e cila veç aneksimit të rajonit të Sudeteve në Çeki, jo vetëm nuk e shuajti oreksin ekspansionist të Hitlerit, por ia shtoi dhe më tepër, duke pushtuar Poloninë, duke bombarduar Britaninë e Madhe e duke pushtuar dhe vetë Francën, Belgjikën, etj. I zhgënjyer dhe pa asnjë aleat, Chamberlain dha dorëheqjen në Maj 1940, duke ia lënë vendin emblematikut Winston Çhurçill, “Kryeministrit legjendar të Luftës”. Ky i fundit u tregua profet proverbial politik kur i tha Chamberlainit pas kthimit nga Munihu se “ju kishit dy zgjedhje në Munih, luftën dhe turpin; ju zgjodhët turpin, por do të keni luftë”.

Më konkretisht, thelbi i “Planit Vance/Owen ishte ndarja e Bosnies në 10 rajone gjysëm autonome, ku gjysma e territorit i premtohej Serbisë, me idenë se ajo do të mbetej e kënaqur, pa kërkuar më shumë, ca më pak me dhunë.

Ndërkohë, qeveria legjitime në Sarajevë u detyrua ta pranonte paqen e diktuar. E megjithatë, në muajin Maj të atij viti, ky plan tejet bujar për Serbinë, u refuzua nga Milosevici, sepse oreksi i tij kriminal nuk kishte të ngopur. Ndonëse, siç pohojnë ndihmësat e tyre, dhe nëse do ta kishte pranuar atë Plan, më vonë Milosevici do të kthehej sërish në tryezën e negociatave për të kërkuar më shumë, me ndihmën e Karaxhiç dhe Mlladiç. Për pasojë, në Qershor 1993, Vance dhe Oëen dhanë dorëheqjen, duke pranuar dështimin e projektit të tyre të paqes në Bosnie.

Kjo përshkallëzoi më tej dhunën dhe genocidin kundër njerëzve të pambrojtur dhe të pafajshëm. Gjatë muajit Prill – dhjetor 1993 u vranë 40.000 boshnjakë të pafajshëm, përfshirë të moshuar, gra dhe fëmijë. Rrethimi i Sarajevës vazhdoi mbi 1000 ditë me dëme dhe shkatërrime masive. Ndodhën qindra masakra të tjera, duke lënë në harresë Kampin serb të Përqëndrimit në Prijedor, në Bosnien Perendimore.

Çështë më e keqja dhe më indinjuese, këto krime monstruoze dhe ky demonstrim force nga ultranacionalistët serbë u kryen nën hundën e trupave të OKB-së. Në praninë dhe heshtjen e turpshme të Dërguarit Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Bosnie, japonezit Jasushi Akashi dhe Komandantit të Trupave të OKB-së, Gjeneralit Bernard Janvier, forcat serbe pushtuan dhe vetë zonën që ishte nën administrimin e OKB-së, duke përfshirë Srebrenicën; ndonëse në muajin Prill të vitit 1995, kjo e fundit ishte shpallur zonë e mbrojtur me vendim të KS të OKB-së. Më tej, asgjë nuk i pengoi kriminelët serbë të drejtuar nga “ kasapët “ e Ballkanit, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç të ekzekutonin 8500 civilë të pafajshëm boshnjakë dhe pastaj t’i hidhnin në gropa dhe varre masive.

Lidhur me këtë rast, Marek Edelman, ish Komandanti i mbijetuar i Ghetos së Hebrejve të Varshavës ka shkruar se “Europa nuk mësoi asgjë nga Holokausti. Ajo që ndodhi në Bosnie ishte fitore “post mortum” për Hitlerin” Në tri vitet e ardhëshme u vranë e u masakruan dhe 60.000 boshnjakë të tjerë derisa më në fund Perëndimi u fut me forcat e tij ushtarake. Vetëm nën presionin e tyre, më 1995, Milosevic u ul në tryezën e bisedimeve dhe nënshkroi Marrëveshjen e Paqes së Daytonit plot 5 muaj pas kasaphanës së Srebrenicës dhe masakrave të tjera.

Veç të tjerash, ky jubile i trishtë, si shembull tragjik dhe i dështimit të diplomacisë Perendimore në procesin paqebërës në Ballkanin Perendimor jep disa mësime të dobishme mbi raportin dhe radhën e veprimit ushtri/diplomaci dhe trajtimin e drejtë të temave të nxehta aktuale, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe provokimeve serbe në Veri të Kosovës.

Këtu po i referohemi gjermanit Alexander Rhotert, ndër ekspertët dhe politologët më të besueshëm të rajonit tonë, i cili më 1999 – 2015 ka shërbyer si Këshilltar Special i të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së, të BE-së dhe OSBE-së në Sarajevë. Ndër të tjera Rhotert nënvizon se mësimi i parë i madh është që diplomacia dhe negociatat nuk mund e nuk duhet të bëhen gjatë procesit të luftimeve. Ato lihen për në fund, mbasi kanë mbaruar veprimet në teatrin e luftimeve, kur agresori është dobësuar në kulm, duke u ulur kështu në tryezën e negociatave në pozita shumë më inferiore. Sepse mbasi ka dështuar diplomacia, vetëm lufta dhe ushtria krijojnë kushtet dhe rrethanat e duhura që diplomacia të “rifutet në lojë” me projekte për paqe, por jo më parë. Ai thekson se vetëm presioni ushtarak i detyron diktatorët dhe agresorët që të ulen në tryezë për të pranuar paqen, me kushtet tona, jo të tyret.

Ja pse, siç tregoi dhe dështimi i Planit të Paqes Vance – Owen, zbatimi i parakohshëm dhe i pamenduar i diplomacisë, sidomos asaj zbutëse, ca më keq pa mbështetje ushtarake çon në aventura dhe tragjedi më të të mëdha se në Bosnie.

Këto mësime tingëllojnë shumë aktuale sot, kur po kërkohet armëpushimi dhe paqja midis Rusisë dhe Ukrainës, në mënyrë që “t’i jepet një shans diplomacisë”. Është e vërtetë që gjithçka do të përfundojë me diplomaci, por ama kur asaj t’i vijë koha, as përpara dhe as më vonë. Kështu ka ndodhur mbas të dy luftrave botërore më 1919 dhe 1945. Kjo u pa dhe në Dayton, ku dhe Holbrook i famshëm do të kishte dështuar, nëse forca ushtarake ndërkombëtare nuk do të kishte bërë paraprakisht të vetën, duke “i venë kufirin te thana” Miloseviçit.

Rikujtojmë me këtë rast se dhe ish Kryeministri serb Milutinoviç e refuzoi Marrëveshjen e Rambujesë të 23 Shkurtit 1999, ndonëse ishte tejet e favorshme për Serbinë, mbasi mjaftohej me autonominë e mëparshme të Kosovës; por pa pavarësi, siç e konfirmoi publikisht para disa kohësh dhe Chris Hill, ambasadori amerikan në Beograd, një ndër “arkitektët” e Rambujesë. Një muaj më vonë, ky refuzim dhe kokëfortësia diktatoriale e Miloseviçit, kur asnjë demarsh diplomatik nuk “pinte më ujë” çoi në ndërhyrjen e drejtë ushtarake të NATO-s dhe luftën çlirimtare të UÇK-së, të cilat u pasuan nga proceset strategjike politike, diplomatike, ekonomike, paqebërëse dhe integruese Euro – Atlantike për Ballkanin.

Së fundi, ky jubile domethënës na rikujton se sa e rrezikshme dhe me pasoja ishin zbatimi i diplomacisë zbutëse nga BE-ja dhe sidomos Gjermania gjatë viteve 2010 – 2022 ndaj Rusisë, me mendimin naiv se duke forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, Putini do të zbutej dhe joshej dhe do të hiqte dorë nga çdo synim agresiv ndaj Europës. Plus “dividentin e madh të paqes“ si rrjedhojë e tarifave të ulta të gazit dhe energjisë ruse, duke çuar në një varësi pothuajse të plotë prej tyre, koston e të cilës Europa tani po e paguan “si frëngu pulën“!

Edhe pse më 2008 me Gjeorgjinë dhe më 2014 Moska me aneksimin ushtarak të Ukrainës Lindore tregoi të kundërtën, prapë Gjermania vijoi me politikën zbutëse/qetësuese deri më 24 Shkurt 2022.

Për fat të keq këtë diplomacy të tepëruar zbutëse, madje dhe përkëdhelëse ka ndjekur dhe Presidenti Trump gjatë këtyre 6 muajve të parë të tij kundrejt Rusisë. Dhe tani po detyrohet të marrë masa shtrënguese, duke filluar nga vendosja e sanksioneve ekonomike, mbështetja e Ukrainës dhe masa të tjera; por gjithsesi me një efektivitet të kompromentuar për shkak të pritshmërive pa bazë që krijoi në këtë fushë të minuar.

Ndryshe nga qëndrimet e gabuara zbutëse ndaj Rusisë, me politikën e vendosur të forcës dhe imponimit ushtarak, me sulmet e fuqishme dhe bombardimet e objekteve bërthamore iraniane gjatë muajit Qershor, Presidenti Trump korrigjoi “ shinjestrën” e diplomacisë perendimore zbutëse ndaj Iranit gjatë 15 viteve të fundit sipas motos “ tërhiq e mos e këput”, e cila vetëm se e ndihmoi rregjimin në Teheran të përshpejtonte prodhimin e bombës bërthamore.

Po aq e gabuar ka qenë në 20 vitet e fundit diplomacia zbutëse e BE-së ndaj Serbisë, duke trajtuar atë kryesisht “me kulaç dhe si të nënës“, ndërsa Prishtinën kryesisht “me kërbaç dhe si të njerkës“. Duke mos lejuar veç të tjerash as përdorimin e Urës së Ibrit e duke cënuar kështu dhe vetë simbolikën e urave lidhëse kundrejt mureve ndarës.

Le të shpresojmë që në këtë jubile tragjik, lidershipet e reja politike në Europë dhe në SHBA të kuptojnë gabimet e tyre, duke bërë korrigjimet dhe kthesën e kërkuar, në interes të paqes, stabilitetit dhe demokracisë kudo. Në mënyrë që të mos ketë më Srebrenica, Rejçakë dhe Vukovarë të tjerë as në Ballkan dhe askund gjetkë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb