Mbretëria e Bashkuar do të organizojë këtë vjeshtë një takim ndërkombëtar në kuadër të Procesit të Berlinit, ku do të mblidhen udhëheqës të Ballkanit Perëndimor dhe ministra të jashtëm evropianë.

Samiti do të zhvillohet më 8 tetor në Kështjellën historike Hillsborough të Irlandës së Veriut, nën drejtimin e Sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy.

Qëllimi i takimit është nxitja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, forcimi i sigurisë evropiane, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik dhe marrëdhënieve fqinjësore.

Kështjella Hillsborough u zgjodh për simbolikën e saj të lidhur me paqen, pasi ishte vend kyç në procesin që çoi në Marrëveshjen e Paqes në Belfast (1998).  Britania synon të ndajë përvojën e saj nga procesi i pajtimit në Irlandën e Veriut si shembull për rajonin e Ballkanit.

“Kështjella Hillsborough është një kujtesë e fuqishme e asaj që mund të arrihet përmes diplomacisë”, tha Lammy, duke shpresuar se kjo përvojë do të frymëzojë vendet e Ballkanit drejt një të ardhmeje më paqësore.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb