TIRANË- Qeveria ia hedh fajin sindikatave për bllokimin e punës për statusin e minatorit. Në një deklaratë të përbashkët për median, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqarojnë se prej disa kohësh kanë ngritur një grup punë të përbashkët që ka zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve kanë rënë dakord për draftin por ka një pjesë tjetër të sindikatave që nuk kanë qenë dakord.

“Referuar protestës së zhvilluar gjatë ditës së sotme nga përfaqësues të sindikatave për çështjen e ‘Statusit të Minatorit’, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë sqaron opinionin publik se tanimë prej disa kohësh është funksional një grup ndërinstitucional pune i përbashkët që kryesohet nga zv.ministrat përkatës Enis Aliko dhe Dajna Sorensen.
Ky grup pune ka zhvilluar diskutime intensive me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve janë dakordësuar mes tyre për një draft të cilin ia kanë paraqitur grupit të punës. Fatkeqësisht, deri tani, ka dhe një pjesë përfaqësuesish sindikalë të cilët nuk kanë rënë dakord me draftin e propozuar nga pjesa kryesore e sindikalistëve. Gjejmë rastin që t’u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve sindikalë që të bëhen pjesë e diskutimeve në tryezën e grupit të punës, të bashkohen në qëndrime mbi një draft të vetëm i cili më pas t’i nënshtrohet procedurave të përcaktuara në ligj”, deklaron MIE dhe MFE.

Minatorët në pension dhe sindikatat protestuan sot para Kryeministrisë duke paralajmëruar nisjen e grevës pa afat javën e ardhshme deri në realizimin e statusit të minatorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb