BERLIN– Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Ëalter Steinmeier i kërkoi sot qeverisë turke të mos u japë fund marrëdhënieve me kurdët, ndërkohë që Ankaraja po zhytet në një luftë të hapur me rebelët kurdë.

“Qeveria turke nuk duhet tu japë fund marrëdhënieve me kurdët, që për të dy krahët, janë ndërtuar me vështirësi këto vitet e fundit”, deklaroi Steinmeier për të përditshmen popullore gjermane “Bild”.

“Ankaraja duhet të respektojë gjithashtu faktin që një parti kurde është zgjedhur në Parlament gjatë zgjedhjeve legjislative në muajin qershor”, nënvizoi kreu i diplomacisë gjermane, i cili kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Kurdistanit irakian, Massud Barzani.

“Të dy drejtuesit këmbëngulën në nevojën për rifillimin e procesit të paqes me Turqinë”, sipas zëdhënësit të Steinmeier. “Ne mbështesim çdo përpjekje që kontribuon në zgjidhjen në mënyrë paqësore të konfliktit mes Turqisë dhe kurdëve”, theksoi Steinmeier.

“Askush nuk mund të ketë interes që Turqia të rikthehet në periudhat e kaluara të dhunës pa fund, as qeveria turke, as përfaqësuesit politik kurdë”, shtoi ai. “Sigurisht, Turqia do të mbrojë qytetarët e saj nga terrori. Por gjëja e fundit për të cilën Lindja e Mesme (…) ka nevojë, është një zgjerim i konfrontimit ushtarak në këtë rajon”, deklaroi Steinmeier.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: