Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kritikoi ashpër presidentin amerikan Donald Trump për planin e tij për të “marrë në dorë” Gazën dhe për të rivendosur përgjithmonë popullsinë e saj palestineze në vende të tjera.
“Një zgjidhje që shpërfill ose madje shkel ligjin ndërkombëtar është e papranueshme,” tha Steinmeier gjatë vizitës së tij në Ankara. Ai shprehu dyshimin e tij për suksesin e mundshëm të bisedimeve të tilla midis administratës Trump dhe shteteve arabe.
Pas takimeve të nivelit të lartë në Arabinë Saudite dhe Jordani , Steinmeier theksoi kundërshtimin e gjerë rajonal ndaj planit të propozuar. Duke folur për mediat gjermane përpara takimit me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan , Steinmeier tha se ai hasi “vetëm zhgënjim, shumë shqetësime dhe në disa raste zemërim të vërtetë” për planin e Trump.
Presidenti gjerman theksoi se çdo zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez duhet të sigurojë “siguri për Izraelin dhe vetëvendosje për palestinezët”.
“Kjo është një rrugë e vështirë dhe ndoshta më e gjatë,” pranoi Steinmeier. “Por kam frikë se shkurtesat arbitrare nga kjo rrugë – veçanërisht ato që shpërfillin ligjin ndërkombëtar dhe rregullat e tij – nuk do të çojnë te qëllimi.”
Vërejtjet e tij pasojnë deklaratën e Trump se “SHBA do të marrë Rripin e Gazës” gjatë një konference shtypi të martën në mbrëmje së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Trump tha se popullsia e Gazës duhet të zhvendoset në vende si Jordania dhe Egjipti, me SHBA që ta kthejnë tokën në “Rivierën e Lindjes së Mesme”.
Propozimi tërhoqi dënimin e ashpër nga Palestina dhe u refuzua kategorikisht nga shumë vende, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Turqinë, Spanjën, Francën, Arabinë Saudite dhe Egjiptin.
(A.A/BalkanWeb)
