Projekti “Step by Step”, i organizuar nga Federata e Futbollit, ka rifilluar aktivitetin për sezonin e ri me një program të strukturuar stërvitor dhe seleksionues për grupmoshat e reja.
Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u zhvillua një seancë stërvitore me futbollistet e grupmoshës U-17, të cilat aktivizohen me klubet që marrin pjesë në kampionatin shqiptar. Kjo seancë shërbeu njëkohësisht si një mundësi për të vëzhguar dhe testuar nga afër disa prej futbollisteve më të spikatura të kësaj grupmoshe.
Në fokus të stafit teknik kuqezi, me në krye trajneren Cyme Lulaj, është përgatitja për ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian U-17, teksa puna me lojtaret vijon në mënyrë të vazhdueshme.
Gjatë seancës, stafi teknik pati mundësinë të vlerësojë nga afër gjendjen dhe performancën e futbollisteve, duke identifikuar elementet që mund t’i bashkohen grupit të Kombëtares U-17.
Proceset stërvitore, testuese dhe seleksionuese në kuadër të “Step by Step” do të vijojnë edhe gjatë javëve të ardhshme, me synimin për të evidentuar dhe zhvilluar talentet e reja të futbollit të vajzave dhe për të ndërtuar një grup sa më konkurrues për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.
