SHBA- Ambasadori amerikan për Krime Lufte, Stephen Rapp, thotë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Parlamenti i Kosovës të miratojë javës që vjen ligjin për Gjykatën e Posaçme dhe se një gjykatë e miratuar nga Kosova do të ishte alternativa më e mirë.

Ambasadori Stephen Rapp tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se si aleati më i rëndësishëm i vendit, SHBA mendon se ky hap do të ishte jashtëzakonisht pozitiv për të, përfshirë hapat drejt integrimit Euro-Atlantik. Rapp foli edhe për ndalimin e ish-kryeministrit Haradinaj duke e quajtur atë pa vend.

Parlamenti i Kosovës pritet ta diskutojë çështjen e Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte javën e ardhshme. Kjo çështje është shtyrë shumë herë. Pse mendoni se është zvarritur kaq shumë?
Jemi shumë të kënaqur që qeveria ia kaloi parlamentit këtë dhe shpresojmë që vota të jetë në favor javën që vjen. Ne e kuptojmë që është një çështje e vështirë. Unë kam qenë disa herë në Kosovë, jam takuar me viktima të krimeve të tmerrshme që kanë ndodhur atje veçanërisht në vitin 1999. Ne e dimë që krimi kryesor dhe mbizotërues ishte spastrimi etnik i popullsisë shqiptare të Kosovës dhe kjo ishte arsyeja e ndërhyrjes sonë me NATO-n për ta ndalur atë krim dhe kemi parë që personat përgjegjës u nxorën para drejtësisë në Hagë. Gjyqi i Millosheviqit që nuk rezultoi në dënim për shkak të vdekjes së tij, ishte në pjesë të madhe për krimet në Kosovë, kishim ndjekjen penale të ish-zëvendës kryeministrit Sainoviç i cili u shpall fajtor në Hagë dhe vazhdon të vuajë dënimin. Pra janë nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë për ato krime. Ka qenë vërtet e vështirë të trajtohet çështja e krimeve të kryera nga pala tjetër, veçanërisht ato për të cilat flitet në raportin Marty. Është thelbësore që gjërat të thuhen hapur. Ata shqetësohen se po i kushtohet shumë vëmendje kësaj çështjeje në veçanti. Ne e kuptojmë këtë shqetësim por ne mendojmë se kjo është një provë e rëndësishme për Kosovën si vend i pavarur, që të ngrihet dhe ta ndërmarrë këtë veprim me një ligj të vetin, jo me detyrimin që të bëhet në Nju Jork ose ndonjë organizëm i jashtëm, por përmes veprimeve të saj. Dhe ne mendojmë se duke e bërë një gjë të tillë, do të kemi një të ardhme të ndritur në Kosovë, një vend pavarësinë e të cilit Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me forcë dhe e kanë njohur në gjithë botën.

Ju folët për nxjerrjen para përgjegjësisë së palës tjetër, por ekziston perceptimi mes qytetarëve të Kosovës se po vihet një barazpeshë mes mizorive në masë dhe veprimeve individuale të disa kryengritësve të Kosovës. Cila është përgjigjja juaj për këtë perceptim?
Së pari duhet të kemi parasysh se këto raste gjithmonë kanë të bëjnë me veprimet e individëve. Nuk janë absolutisht të gjithë serbët, as të gjithë shqiptarët e Kosovës përgjegjës për krime. Ishin individët ata që vepruan dhe ne pamë që pati spastrim etnik në mënyrë të organizuar nga forcat serbe që solli si rezultat ndërhyrjen tonë dhe mbështetjen tonë të fortë për vendosjen e drejtësisë në gjyqet e Hagës. Ka akuza që pati përpjekje të organizuara, vërtet në përmasa më të vogla përsa i takon numrit të viktimave, nga pala tjetër. Sigurisht në çdo konflikt kryhen krime të tmerrshme nga individë të ndryshëm. Këto gjykata ndërkombëtare dhe të posaçme që krijohen, duhet të përqendrohen tek ato që janë më të organizuara dhe sistematike dhe nëse nuk janë krime sistematike ato duhet të gjykohen individualisht në një nivel më të ulët. Por në raportin Marty ka akuza për aktivitet kriminal të organizuar dhe sistematik nga disa grupe dhe prandaj mendoj se është e rëndësishme që ato akuza të hetohen plotësisht dhe nëse justifikojnë padinë e një gjykate, atëherë duhet të çohen në gjyq dhe ata që janë fajtorë të shpallen fajtorë dhe ata që janë të pafajshëm të çlirohen nga akuzat. Kjo mendoj se do të sjellë si rezultat heqjen e njollave, sqarimin e situatës që ekziston sidomos që kur doli raporti Marty, si edhe do ta ndihmojë Kosovën në të ardhmen e saj dhe në hapat në drejtimin evropian dhe euro-atlantik.

(ed.me/voa/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: