Rusia dhe Bjellorusia po bëjnë prova për lëshimin e armëve bërthamore taktike ruse si pjesë e stërvitjeve të përbashkëta të luftës, tha të martën udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko.
Mediat shtetërore cituan shefin e shtabit të Bjellorusisë të ketë thënë se në ushtrime u përdor edhe raketa hipersonike Oreshnik e Rusisë, të cilën e testoi vitin e kaluar në luftën me Ukrainën.
Rusia dhe Bjellorusia po i japin fund pesë ditëve të stërvitjeve ushtarake të koduara me emrin Zapad (Perëndim), në një shfaqje force që thonë se bëhet për të testuar gatishmërinë luftarake, por që ka shqetësuar disa vende përreth.
I veshur me veshje ushtarake, Presidenti rus Vladimir Putin u takua me zyrtarë të lartë ushtarakë të martën në rajonin Nizhny Novogorod të Rusisë, ku u zhvilluan disa nga stërvitjet. Rreth 100,000 personel ushtarak morën pjesë në stërvitjet, të cilat përfshinin afërsisht 10,000 pajisje ushtarake, tha shefi i Kremlinit në komentet e transmetuara në televizionin shtetëror. Stërvitjet kishin për qëllim të siguronin “mbrojtjen pa kushte të sovranitetit dhe integritetit territorial të Shtetit të Unionit”, tha Putin, duke iu referuar aleancës së Rusisë dhe Bjellorusisë.
Manovrat ushtarake, të cilat analistët ushtarakë perëndimorë thonë se janë të dizajnuara për të frikësuar Evropën, vijnë vetëm disa ditë pasi forcat polake dhe të NATO-s thanë se kanë rrëzuar dronë rusë që hynë në hapësirën ajrore polake. Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë që kufizohet me Ukrainën dhe Rusinë, si dhe me anëtarët e NATO-s, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, strehon armë bërthamore taktike ruse, të cilat Moska i mban nën kontroll.
Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve Belta citon Lukashenkon të ketë thënë se ishte e natyrshme që armët bërthamore taktike ruse të ishin pjesë e stërvitjeve Zapad. “Ne po praktikojmë gjithçka atje. Ata (Perëndimi) e dinë gjithashtu këtë, ne nuk po e fshehim. Nga përdorimi i armëve të vogla konvencionale deri te kokat bërthamore. Përsëri, ne duhet të jemi në gjendje t’i bëjmë të gjitha këto. Përndryshe, pse do të ishin ata në territorin bjellorus?” citohet të ketë thënë ai.
