“Sabri Hamiti është krijues i Zanit-Zërit-Ze-së shqiptare. Kjo ndihet në veprën e tij. Ai është krijues i bukurisë së shqipes” pat pohuar Ibrahim Rugova Prijesi  i qëndrimeve  të  forta me zë të butë në të 30 -tin përvjetor të veprës letrare të Hamitit.

Në një stinë e cila shpesh përkufizohet si e depresionit kulturor e ftohjes me librin tekstet e Sabri Hamiti mundin tendencën.

Jo vetëm kaq por ato të kthejnë optimizmin mbi fatet e letërsisë shqipe bashkëkohore.

Një i tillë, një kësodore, një enciklopedi e pulsimeve kulturore shqiptare është “Stilografia”!

Aty në tre pjesët e tij “Letrat e fundit”, “Kalendari” dhe “Breviari” janë të gjithë e gjithçka që penda e shkrimtarëve tanë ka shënjuar mbi letër në me shumë se një shekull.

Tema dhe autore, libra dhe breza, lexim e interpretim në relacion  me “klasiken letrare shqipe dhe me sistemin e tërësishëm të kësaj letërsie”  vinë të gjithë bashkë e veç e veç.

Aty është Anton Pashku e At Zef Pllumi, Ismail Kadare e Ibrahim Rugova, Ornela Vorpsi e Luljeta Lleshanaku,  Fishta e Mjeda, Qosja, Podrimja, Buxhovi, Ismailji, Eqerem Basha, Teki Dervishi, Zef Zorba, Rreshpja, Vilson Blloshmi, kritiket e shkollës se re Dhurata Shehri, Persida Asllani, Kujtim Shala, Nysret Krasniqi e shumë e shumë të tjerë.

Askush nuk është rastësisht aty në një vepër e cila mund të konsiderohet e dominimit total në fushën e njohjeve. Një punë mitikoloze për të paraqitur ashtu të “shtryllur”, ” kuptimin elementar të stilit individual, lapsi e letra, duke provuar bukurshkrimin në procesin e leximit të veprave letrare-artistike”!

“Breviar” , shkurticë i bie në shqip e quan Akademik Sabri Hamiti pjesën e tretë të librit të tij e ashtu mund të në duket se në dy-tre faqe sjell një autor  të komentuar brenda zgavrës së kohës së vet  e në përmasat e kohës sonë.

E ka quajtuar ashtu por në fakt aty eshtë një jetë studimi e pune, leximi kreativ e plot dashuri në mungaden e tij aty në zemër të “qarkut kulturor” të Prishtinës.

Ky libër është në ketë bienio vaksinash një vaksinë kundër nihilizmit ! Hamiti na thotë se tek letërsia shqipe mund te gjejmë identikitin kulturor të shqiptarit modern si personazh, si individ, dhe si shoqëri!

Edhe kur ne i ikim asaj ajo na ndjek pas, na gjykon, na përfshin, na përkufizon, gjykimit të secilës nuk kemi për ti shpëtuar kurrë ! E kotë tentativa për ti ikur e mirë këshilla për të mësuar sesi ka gjykuar të tjerët para nesh. “Shkrimtaret dhe ushtaret janë përgjithmonë më afër tokës dhe nuk i lejojnë t’iu rrëshqasë dheu nën këmbë” një kumt i vjetër na e kujton ! Në një kuptim Hamiti jo vetëm kaq po e ka mbledhur dheun e shprishur tek ” Stilografia” e tij.  Nëse, Rrahman Dedaj beson se ” Atdheu im prej shiu/ muzika jote nuk kuptohet/ pa fyelli e ashtit tim/ –ne lexuesit e përunjur të Sabri Hamitit shkrimtarit e  mendimtarit që prej motesh cilësohet si “Home poeticus e homo meditans” besojmë se vepra e tij ka zënë vend si asht i Albanologjisë shqiptare! Kush tek kultura e ka një aspiratë duhet medoemos ta lexojë ” Stilografinë”!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb