TROPOJE- Prej afro 2 javësh, rreth 90 qendra shëndetësore në zonat më të largëta e malore të vendit që gjatë sezonit të dimrit bllokohen prej reshjeve të dëborës, janë furnizuar me barna dhe pajisjet e nevojshme mjekësore për të përballuar 3 muajt e ardhshëm të stinës së ftohtë. Këto qendra shëndetësore janë furnizuar me një paketë prej rreth 80 barnash të ndryshme, në mënyrë që banorët e këtyre zonave të mund të marrin shërbimin e nevojshëm.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, inspektoi shpërndarjen e barnave dhe materialeve mjekësore në tri qendra shëndetësore në Bashkinë e Tropojës, Fierzë, Bujan dhe Margegaj, ndërkohë që procesi i furnizimit me barna dhe materiale mjekësore ka përfunduar në të gjitha qendrat shëndetësore që mbulojnë rreth 20 mijë banorë të kësaj bashkie.

“Është tashmë normale që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa që në prag të dimrit të bëjë furnizimin e qendrave shëndetësore që janë në zonat më të largëta të vendit dhe që gjatë dimrit edhe bllokohen. Janë rreth 90 qendra shëndetësore që prej dy javësh janë furnizuar me një sasi të nevojshme barnash, që zgjat përreth 3 muaj nga vlerësimet e konsumeve vjetore që ne bëjmë, dhe lista përbëhet prej rreth 70-80 barnash të domosdoshme për qendrat shëndetësore, në mënyrë që të jemi sa më pranë banorëve jo vetëm në Fierzë, jo vetëm në qendrat shëndetësore të gjashtë njësive të Bashkisë së Tropojës, por në rreth 90 qendra shëndetësore në të gjithë vendin”, – u shpreh Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë, theksoi se falë këtij furnizimi, mjekët dhe infermierët e këtyre qendrave shëndetësore do të kenë mundësi që t’u ofrojnë banorëve të këtyre zonave shërbimin e domosdoshëm.

(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb