Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se përdorimi i armëve kimike nga Rusia do të “ndryshonte rrënjësisht natyrën e konfliktit”.

Duke folur me gazetarët në rrugën për në samitin e jashtëzakonshëm të liderëve të NATO-s, Stoltenberg tha se kjo do të nënkuptonte një “katastrofë për popullin e Ukrainës” dhe do të përfshinte “pasoja të gjera dhe të rënda” për aleatët e NATO-s nëse Rusia do të vendoste armë kimike në luftë.

Stoltenberg nuk pranoi të “spekulojë” për përgjigjen konkrete të NATO-s në rast të përhapjes së një sulmi kimik në vendet e NATO-s, por garantoi se “NATO është gjithmonë e gatshme të mbrohet dhe të reagojë ndaj çdo lloj sulmi”.

Ai njoftoi se krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s sot në samit do të trajtojnë “krizën serioze të sigurisë”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, po ashtu do të bashkohet përmes video-lidhjes në një pjesë të diskutimit.

Liderët pritet të miratojnë mbështetje shtesë për Ukrainën, përfshirë ndihmën për sigurinë kibernetike si dhe pajisje mbrojtëse kundër kërcënimeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.

Krerët e shteteve dhe qeverive po ashtu do t’u japin mandat komandantëve ushtarak që të zhvillojnë plane për rivendosjen e pozicionit mbrojtës dhe parandalues të aleancës në afat të gjatë.

Si hap i parë i këtij procesi, Stoltenberg tha se NATO do të vendosë katër grupe të reja beteje në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.

Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 977 civilë janë vrarë deri më tani në Ukrainë, si dhe rreth 1.600 të tjerë janë plagosur. Megjithatë, OKB-ja ka paralajmëruar se numri i saktë duket se është shumë më i lartë pasi ajo nuk ka qenë në gjendje të ketë qasje në zonat me armiqësi të shtuara.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 3.6 milionë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: