Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, në një komunikim të drejtpërdrejtë në News24 foli për gjendjen kritike në zonën e Bubqit, në bashkinë Krujë, pas reshjeve të fundit, ku ai vetë ishte prezent.
Sipas Strazimirit, fshatrat Bilaj dhe Mulqin janë nën ujë, ndërsa një pjesë e mirë e zonës ka 48 orë pa energji elektrike, për shkak të një shtylle të tensionit të lartë që kalon përtej lumit Ishëm dhe telat e së cilës janë të kapura mes pemëve. Rënia e pemëve ka shkaktuar prishjen e linjave elektrike, duke lënë banorët pa drita në temperatura të ulëta.
Deputeti vuri në dukje se, edhe pse në terren janë punonjës të OSHEE-së, ata nuk disponojnë mjetet e nevojshme për të rregulluar situatën. Ai shtoi se bizneset lokale po ofrojnë ndihmë me mjete për të riparuar linjat e dëmtuara.
Strazimiri gjithashtu theksoi se kanalet e zonës nuk janë pastruar prej 7-8 vitesh, gjë që ka favorizuar përmbytjet dhe ka bërë situatën edhe më kritike, pasi bimësia e dendur bllokon rrjedhën e ujit.
Deputeti kërkoi ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të rikthyer energjinë dhe për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet.
