Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Compass”.

Policia njofton se në pranga është vendosur një 28-vjeçar, dhe është proceduar një tjetër 32 vjeç, pasi strehonte klandestinë në banesa të braktisura në Lazarat me qëllim kalimin në vendet e BE.

Po ashtu është sekuestruar një automjet dhe një aparat celular, si dhe 100 euro të dyshuara të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i monedhave”.

Njoftimi i Policisë:

DVP Gjirokastër

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “COMPASS”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Strehonin 18 emigrantë të paligjshëm që kishin si qëllim kalimin në vendet e BE-së, vihet në pranga 28-vjeçari, procedohet penalisht bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohet një automjet, një aparat celular dhe 100 euro të dyshuara të falsifikuara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor “COMPASS”, si rezultat i të cilit u ndalua shtetasi G. B., 28 vjeç, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi V. A., 32 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.

Në datë 05.04.2022, në vendin e quajtur “Teqja”, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, në ambientet e disa banesave të braktisura, janë gjetur 18 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët kishin hyrë dhe qëndronin ilegalisht në Shqipëri.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se emigrantët e paligjshëm ishin strehuar nga shtetasit G. B. dhe V. A., me qëllim transportimin e tyre në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 aparat celular dhe 100 euro të dyshuara të falsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i monedhave”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb