Përmbysja nuk është një mision i pamundur. Struga u mund 1-0 në ndeshjen e parë të Play Off të Conference League nga Breidablik, por të enjten në Kópavogsvöllur (Kópavogur), synimi mbetet vetëm kualifikimi.

Trajneri i ekipit nga Struga, Shpëtim Duro i ka të qarta idetë sesi mund të arrihet te historia në Europë, edhe pse presioni për hir të së vërtetës është mjaft i madh te skuadra.

“Rezultati i ndeshjes së parë është në favor të kundërshtarit sepse ne e kemi humbur ndeshjen e parë. Por, është një rezultat minimal dhe kam besim se skuadra do të japë maksimumin për të luajtur dhe ky rezultat i ka të gjitha mundësitë. Ne kemi luajtur më mirë se kundërshtari dhe ishte një humbje e pamerituar, por mendojmë që këtë ndeshje të japim maksimumin.

I kam thënë skuadrës se janë 90 minutat që duhen luajtur me të gjitha mundësitë dhe pastaj të shohim përfundimin e lojës. Kemi dy mungesa të rëndësishme në formacion. Radevski mungoi edhe në ndeshjen e parë, për ne është mungesë shumë e rëndësishme se po kalonte një formë shumë të mirë. Po ashtu edhe Zguro ka luajtur stabël, ka kontribuar për arritjet e skuadrës deri në këto momente.

Do të mundohemi të marrim masat për t’i zëvendësuar. Morali është lart, kam biseduar me futbollistët dhe janë të zhgënjyer për rezultatin e ndeshjes së parë. Por, duke patur parasysh zhvillimet e lojës kanë besimin e duhur për të bërë diçka të mirë në këtë takim” – tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb