Policia ka dhënë detaje mbi skandalin e ndodhur brenda rreth 2 muajsh në Akademinë e sigurisë, ku dhjetëra studentë janë helmuar nga ushqimi i kateringut nga “Sori-AL”,
Blutë bëjnë me dije se 60 kursantë u dërguan për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, ku morën trajtimin e nevojshëm dhe u rikthyen në Akademi në gjendje të stabilizuar.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë. Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra nga ushqimet e konsumuar, të cilat po analizohen në laborator për të identifikuar shkakun e mundshëm të helmimit.
Tiranë/Informacion paraprak
Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.
Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
