Ish-drejtuesi i Policisë, Asllan Dogjani, ka komentuar protestën e studentëve në Tiranë.
Në një intervistë për News24, ai bëri një paralelizëm me fillimet e vitit 1997 dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe krijimin e një qeverie teknike.
Sipas Dogjanit, pakënaqësitë e të rinjve nuk lidhen vetëm me problemet në universitete, por edhe me koston e lartë të jetesës, mungesën e perspektivës pas diplomimit dhe vështirësitë ekonomike që, sipas tij, i detyrojnë shumë të rinj të largohen nga Shqipëria.
Ai pretendoi se kryeministrit Rama i është dhënë kohë e mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje politike, por sipas tij, mungesa e një zgjidhjeje ka ndikuar në përshkallëzimin e protestave.
“Këta protestues këta të rinj këta student, përveç mos-gjetjes së rrugës apo zgjidhjes nga kryeministri për t’i dhënë zgjidhje situatës, kanë edhe shumë hallë. Përballen me çmime të larta, arsimi është i degraduar, nuk kanë mundësi edhe pasi kryejnë shkollën dhe detyrohen të largohen. Edi Ramës iu dha mundësia për mbi 100 ditë të bënte një zgjidhje për veten dhe Shqipërinë dhe nuk e bëri, sot situata është përshkallëzuar. Me këtë situatë mu kujtua ’97, si në fillimet e saj. Nëse ky kryeministër nuk merr masa për t’i dhënë zgjidhje duke dhënë dorëheqjen për të shkuar në një qeveri teknike që në Shqipëri të bëhen zgjedhje të lira. Nuk ka kthim pas. Janë dy kampe, qytetarët që reagojnë për të drejtat e tyre, dhe kampi tjetër Edi Rama”, tha ai.
Gjithashtu ai komentoi edhe situatën e krijuar gjatë protestës së djeshme, pasi u ushtrua një dhunë barbare ndaj protestuesve, një prej të cilit iu thye edhe këmba.
“Edhe në luftë ka disa rregulla. Këtu edhe pse protestuesi ishte i plagosur apo i dorëzuar përpara policisë ai goditej dhunohej. Dhe në një moment me shkonte mendja, “ore këta janë policë shqiptarë”, kanë njerëz të tyre. Këta ose kanë qenë të droguar ose janë shumë të shpëlarë nga truri nga propaganda…Është me ligj përdorimi i forcës , por jo të të dhunojnë kur të kanë kapur. Ajo dhunë që u përdor dje, arrit të shtojë numrin e protestuesve sot. Në protesta turmat janë përpara dhe të marrin edhe përpara, por sot u lanë edhe vetë me qëllim që Rama të dalë nesër dhe të thotë që sulmuan institucionet dhe po mundohet që të fusë një konflikt civil mes protestuesve dhe qytetarëve të tjerë. Por shteti ka rënë, çfarëdo që të thotë Rama nuk e besojnë as socialistët e vet”, tha ai.
