Izet Mexhiti, bashkëkryetar i koalicionit VLEN, ka folur në emisionin “Studio24” në lidhje me protestën e zhvilluar sot nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës.

Mexhiti u shpreh se studentët shqiptarë prej dy dekadash janë privuar nga kjo e drejtë, pasi provimin e jurisprudencës e zhvillojnë në gjuhën maqedonase.

“Në të kaluarën studentët nuk kanë protestuar, janë privuar nga kjo e drejtë sepse provimin e jurisprudencës e japin prej 20 vitesh në gjuhën maqedonase. Protestat kanë qenë të qeta dhe ne i përkrahim si zë që kanë të drejtë”, deklaroi ai.

Sipas Mexhitit, policia është përpjekur të shmangë tensionet gjatë protestës, ndërsa pas përfundimit të saj është regjistruar një incident.

“Policia është munduar të mos ketë përplasje. Pas protestës ka pasur një incident dhe janë arrestuar dy shqiptarë dhe një maqedonas për përleshje fizike”, tha bashkëkryetari i VLEN.

Ai shtoi më tej se është arritur dakordësi me kryeministrin Hristijan Mickoski për implementimin e ligjit të gjuhëve dhe zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në disa fusha.

“Kemi rënë dakord me kryeministrin Mickoski që të implementohet ligji i gjuhës dhe të përdoret edhe gjuha shqipe për disa sfera të arsimit, licenca etj. Diku kërkohet ndryshim ligji, diku kërkohet ndryshim rregulloreje”, u shpreh Mexhiti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb