Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta në Kuvend, ku seanca plenare ka nisur mes tensionesh dhe përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës. Berisha ka sulmuar qeverinë dhe deputetët e shumicës, duke i akuzuar se po mbrojnë “pasuritë e vjedhura” dhe “vrasjet e porositura”, ndërsa kanë dalë kundër protestës së studentëve.
Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës, Berisha tha se në Kuvend nuk mund të flitet për procedurë parlamentare, ndërsa, sipas tij, jashtë sallës policia po godet revoltën studentore.
“Nuk ka procedurë dhe Kuvend. Procedura është policia që godet revoltën studentore dhe bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këta mbrojnë pasuritë e vjedhura dhe vrasjet që janë porositur. Janë më kriminelë se ata që sot janë në qeli”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së vijoi sulmet, duke akuzuar mazhorancën se po qëndron kundër studentëve dhe fëmijëve shqiptarë, ndërsa e cilësoi situatën si një betejë për të ardhmen e vendit.
“E keni parë si ua nxin fytyrën ai. Si ka mundësi ngriheni kundër studentëve dhe fëmijëve të shqiptarëve. U vratë shpresën doni t’i vrisni dhe fizikisht. Kjo është betejë për çdo shqiptar dhe për të ardhmen.
Në Europë dhe Botë nuk ka kriminelë më të mëdhenj se ju. Është dhe ai i Koresë së Veriut por ai është për arsye ideologjike. Largohuni nga Kuvendi, ju nuk e keni vendin këtu, e keni kthyer në Parlament të krimit.
Fatin e Çausheskut do të ketë nëse vijon kështu. Më mirë të zgjedhë fatin e padronit të tij Vuçiç.
Ju mbështesni gangsterin, padrinon, Ramaduron, kreun e organizatës kriminale. Njeriun që ka vjedhur shqiptarët”, tha ai.
