Qindra qytetarë kanë dalë në rrugët e Beogradit, pas deklaratës së presidentit Aleksandar Vuçiç se lista studentore ka fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi.
Në një nga rrugët qendrore të kryeqytetit serb janë ndezur flakadanë, ndërsa boritë e automjeteve dhe brohoritjet e qytetarëve kanë shoqëruar festimet.
Atmosferë festive raportohet edhe në shtabin e Listës Studentore “Studentët fitojnë”, ku kandidatët dhe mbështetësit e tyre janë mbledhur për të ndjekur rezultatet e votimit. Studentët po këndojnë dhe brohorasin “Fitore”, ndërsa presin konfirmimin e rezultateve përfundimtare. Ndërkohë, personat e mbledhur në kampin e njohur si “Çacilend”, kryesisht të veshur me të zeza, kanë nisur të largohen nga hapësira e rrethuar.
Më herët, presidenti Aleksandar Vuçiç pranoi se, sipas vlerësimeve paraprake, forca e tij politike ka humbur zgjedhjet. Ai deklaroi se Lista Studentore pritet të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate në Parlamentin me 250 vende, ndërsa forca e tij politike rreth 105 mandate. Rezultatet zyrtare përfundimtare nuk janë shpallur ende, ndërsa numërimi i votave vijon.
