Sandër Kovaçi, kreu i sindikatës së pedagogëve, i ftuar në emisionin Minuta e parë, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, që tha se “pedagogët duhet të mos nxisin studentët të dalin në protesta”.
Kovaçi theksoi se studentët vazhdojnë edhe mësimin, sikundër edhe protestat njëkohësisht.
Kreu i sindikatës së pedagogëve deklaroi se dhuna shtazarake ndaj të rinjve nxori pedagogët në rrugë e se nuk ka pasur asnjëherë tentativa për të detyruar ndokënd të dalë në tubime.
“Pedagogët kanë mbështetur bojkotin e studentëve. Ne nuk do të lejojmë që viti akademik të humbasë. Mësimi nuk zhvillohet vetëm të mërkurën, edhe atë ditë vetëm në drekë nuk zhvillohet. Një pjesë e masterit vazhdojnë prapë mësimin. Pedagogët nuk ndikojnë në dëshirën e studentëve për të protestuar. Të shtunën pastaj nuk ka mësim dhe çdokush është i lirë që të protestojë.
Ne thjesht i mbështetëm studentët, për shkak të dhunës së egër policore ndaj tyre. Nuk janë arrestuar studentët, por janë persona, që nuk shohin perspektivë dhe janë të acaruar me realitetin. Nga dhuna, është prishur raporti mes qytetarëve dhe policisë. Shumica e njerëzve e shohin Policinë si armike tani dhe duhet kohë që të përmirësohet ky imazh për efektivin”, u shpreh Kovaçi.
