Ish-studenti i “artë” i universitetit “Luarasi”, Olti Skrame është rikthyer në auditor nën mantelin e zi të gjyqtarit për të promovuar librin e tij më të ri studimor “Manuali i së drejtës ndërkombëtare private të Republikës së Shqipërisë” që në fokus ka legjislacionin dhe jurispudencën.
“Po është një situatë e veçante, jam diplomuar para disa viteve tek universiteti “Luarasi” dhe tashmë jam këtu në pozitën e gjyqtarit, kam ardhur për të prezantuar librin e dytë që kam botuar, manuali i së drejtës ndërkombëtare private të Republikës së Shqipërisë”. Libri u shërben të gjithë praktikantëve të së drejtës, studentëve dhe atyre që e zbatojnë në praktikë, libri është i pari manual i në të drejtën ndërkombëtare private, ka pjesën e legjislacionit, të jurispudencës dhe teorisë por me synimin që mos të jetë i ngarkuar dhe i mërzitshëm”, tha për News 24 gjyqtari Skrame.
Për pedagogët e universitetit “Luarasi” karriera e ish studentit të tyre, është një model suksesi e frymëzimi ndërsa “Manuali i së drejtës ndërkombëtare private të Republikës së Shqipërisë” një vlerë e shtuar për fakultetin e drejtësisë. “Olti nuk ka reshtur së punuari, ai ka qene student këtu tek “Luarasi”, kam krenari të dyfishte që ai është prezent sot me ne, Olti jo vetëm që mbaroi shkëlqyeshëm studimet me vlerësimet maksimale, po vazhdoi shkëlqyeshëm edhe tek magjistratura, sot ai është pjesë e sistemit të drejtësisë, është një model suksesi. Libri i tij studimor është vlerë e shtuar për ne”, tha profesore Rezana Konomi gjatë prezantimit të librit.
I mbushur me krenari për fakultetin e tij ku u diplomua me medalje të artë në sajë të rezultateve maksimale, gjyqtari i gjykatës së rrethit gjyqësor të Kurbinit, Olti Skrame nuk i kurseu këshillat për studentët e drejtësisë. “Shfrytëzoni mundësitë që ju jepen, për të bërë diçka ndryshe , për të mos qenë një nga “shumtë”. Sot ka shumë të diplomuar në drejtësi por ka shumë pak juristë të mirë. Nëse doni të bini sot në sy për mirë, punoni më shumë, silluni mirë në aspektin njerëzor dhe jini sa më të saktë nga ana juridike”, u shpreh para studentëve të drejtësisë gjyqtari Skrame.
Gjatë bashkëbisedimit më studentët, autori Skrame prezantoi evolucionin e legjislacionit të së drejtës ndërkombëtare në vend si dhe diskutoi metodologjinë e përdorur për të analizuar jurisprudencën ku theksoi se e drejta ndërkombëtare private paraqet rëndësi të madhe, pasi numri i marrëdhënieve juridike me elemente të huaja, sa vjen e shtohet.
(BalkanWeb)
