TIRANE- Studimet jashtë vendit, e kryesisht në vendin fqinj, Italinë, mbeten të preferuara nga shumë maturantë. Interesi është i lartë për një numër jo të vogël profilesh studimi, në varësi të mesatares apo edhe prirjeve të vetë të interesuarve. Kjo ka rezultuar edhe gjatë një takimi të organizuar dje me maturantë nga i gjithë vendi, në kuadër të edicionit të pestë për studime në Itali.

Interes për studime në universitetet italiane kanë shfaqur jo vetëm maturantë, pro edhe ata studentë që ndjekin aktualisht studimet në një degë të caktuar.

Çdo vit, mijëra nxënës nga Ballkani aplikojnë për studime në Itali. Pas rumunëve, studentët shqiptarë përbëjnë shumicën dërrmuese të të huajve në universitetet italiane (12.6%). Intensiteti i marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve, si dhe njohja e mirë e kësaj gjuhe nga nxënësit tanë janë dy arsyet kryesore që shpjegojnë këtë fakt.

KRITERET DHE APLIKIMI
Aplikimi për studime në Itali nis me fazën e pararegjistrimit, që ka të bëjë me dorëzimin e disa dokumenteve, të cilët kandidatët duhet t’i kenë me vete në takimin që duhet ta paracaktojnë në ambasadë deri në datën 21 korrik.

Aplikuesit, të cilët ende nuk kanë marrë diplomën e Maturës, u mjafton një vërtetim notash të të gjithë viteve të shkollës së mesme dhe një kopje të Formularit A1 (ose A1Z për maturantët e vjetër) me të cilin provojnë se do të shlyejnë detyrimet e Maturës.

Çdo dokument i marrë në shkollë duhet të vuloset pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe Ministrisë së Arsimit, të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane.

Kusht primar vijon të jetë njohja e gjuhës italiane nga 5 institucione: Universiteti për të huajt i Perugia­s, Universiteti për të huajt i Siena­s, Universiteti Roma 3, shoqata “Dante Aligeri” ose instituti Italian i Kulturës.

Faza e dytë dhe më e rëndësishme është aplikimi për vizë studimi. Nga data 3 korrik, ata që nuk kanë për të dhënë provim pranimi aplikojnë sërish me disa dokumente: Diplomë Mature; kërkesë aplikimi (merret në sportel); dy foto pasaporte; deklaratë për të dhënat personale; njohja e gjuhës; certifikatë lindjeje e pasaportë bashkë me kopje të saj; dokument për strehimin në një vend afër universitetit; sigurimin shëndetësor dhe një llogari bankare prej afro 6 mijë eurosh (përfshi dhe biletën e kthimit). Në rast se kërkesa pranohet nga ambasada, aplikuesi merr me postë vizën me pasaportë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: