Një studim rajonal i UN Women i publikuar së fundmi, në të cilin përfshihet edhe Shqipëria, gjeti se teknologjia dhe rrjetet sociale ndihmuan në përhapjen e dhunës ndaj grave.

Sipas studimit 41 për qind e grave në Shqipëri raportuan se kishin përjetuar dhunë përmes teknologjisë, ndërsa mesatarisht në vendet e përfshira në studim 52% e grave kishin përjetuar dhunë përmes internetit dhe platformave të rrjeteve sociale.

“Më se një e treta e grave që përjetojnë dhunë përmes teknologjisë përballen me të në platformat e mediave sociale si Facebook dhe Instagram. Në Shqipëri dhe Turqi Instagrami u identifikua si media sociale ku ushtrohet më së shumti kjo lloj dhune”, thuhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga UN Women.

Veç Shqipërisë në studim u përfshin edhe Bosnje dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kazakistani, Kosova, Kirgistani, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Taxhikistani, Turqia dhe Ukraina. Studimi ka përfshirë 12 mijë gra në të gjithë rajonin.

Ndër të tjera studimi gjeti se pjesa më e madhe e dhunës ndaj grave përmes teknologjisë kryhet nga persona të panjohur (50,3%), ndërsa në 32,1% të rasteve ajo ushtrohet nga persona të afërt me gratë, si partnerë, familjarë, miq, të njohur, eprorë ose kolegë.

Sipas studimit kjo gjetje tregon se dhuna në vendin e punë apo ajo në shtëpi është shtrirë në rrjetet sociale. “Të anketuarat në Shqipëri raportuan se autorët kryesorë të kësaj dhune janë partneri aktual ose ish-partneri (pasuar nga një anëtar i familjes dhe eprori)”, thuhet në njoftimin mbi studimin.

Studimi u prezantua online në praninë e 100 përfaqësuesve nga organizata të shoqërisë civile, mekanizmat kombëtarë për barazi gjinore, institucione të të drejtave të njeriut, partnerë zhvillimi, kompani teknologjike, institucione të arsimit të lartë, dhe ekspertë nga fusha të ndryshme.

“Në peizazhin gjithnjë në evoluim të shekullit të 21-të, digjitalizimi vazhdon të formësojë botën tonë. Ky studim, i kryer në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, na ndihmon të kuptojmë më mirë dhunën ndaj grave përmes teknologjisë. Dhuna përmes teknologjisë, në të gjitha format e saj, ushtrohet për të njëjtat arsye: për të mbajtur nën kontroll dhe margjinalizuar gratë, si dhe për të kufizuar lirinë e tyre”, vuri në dukje gjatë prezantimit Gülden Türköz-Cosslett, Drejtoresha Rajonale në detyrë e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Në aktivitetin prezantues mori pjesë edhe Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. “Ky studim na ndihmon të advokojmë për politika dhe strategji, duke bashkuar perspektivat kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Shqipëri ndeshemi me sfida për shkak të moskuptimit dhe të mungesës së kapaciteteve për ta trajtuar këtë problem”, tha Gajda./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb