Një studim i ri 25-vjeçar tregon se dëmtimi i lehtë i zemrës në moshë të mesme mund të parashikojë demencën dekada më vonë, sipas ”Foridgehealth.com”.
Gjatë studimit u testuan 6 000 britanikë të moshës 45–69 vjeç dhe u mat niveli i troponinës kardiake në gjak, një proteinë që shfaqet kur qelizat e zemrës dëmtohen.
Pjesëmarrësit me nivelet më të larta të troponinës në moshë të mesme kishin 38% më shumë gjasa të diagnostikoheshin me demencë më vonë krahasuar me ata me nivele më të ulëta. Këto rritje të vogla nuk shkaktojnë simptoma të dukshme, por tregojnë se zemra është nën stres edhe kur personi ndihet mirë.
Sipas studimit, MRI e kryer tregoi se ata me troponinë më të lartë kishin më pak materie gri dhe tkurrje më të madhe të hipokampusit, zona kryesore për kujtesën, si të kishin tre vite më shumë plakje të trurit.
Arsyeja lidhet me qarkullimin. Truri ka nevojë për gjak të pasur me oksigjen. Nëse zemra nuk pompon mirë ose arteriet janë të ngushta, rrjeti i enëve të vogla të trurit mund të mbetet pa oksigjen, duke përshpejtuar dëmtimin që çon në demencë.
Studimi gjithashtu gjeti se njerëzit me troponinë më të lartë përjetuan rënie më të shpejtë të kujtesës dhe arsyetimit me kalimin e kohës.
Në moshën 80 vjeç, performanca kognitive e tyre ishte si ajo e njerëzve dy vjet më të moshuar se ata me troponinë e ulët.
Këto gjetje përputhen me studime të tjera që tregojnë se rreth 17% e rasteve të demencës mund të parandalohen duke përmirësuar shëndetin e zemrës, përmes kontrollit të presionit të gjakut, kolesterolit, aktivitetit fizik, shmangies së duhanit dhe alkoolit të tepruar.
