TIRANE

Sfidë ndaj rrëfimit, si narrativë tradicionale, pazëll faktik dhe imagjinar, mjete poetike, që konfigurojnë një ligjërim të ri, i cili duket, se angazhon lexuesin më thellë për të zbuluar këtë lloj ndërveprimi provokues.

Kështu shfaqet vepra më e re e shkrimtarit Bajram Kosumi, por edhe e publicistit, politikanit dhe studiuesit të letërsisë, romani “Enciklopedia imagjinare”, Artini” & “Toena”, 2024.

Autori e ka shpjeguar në mënyrë sinkretike lëndën e tij për receptuesin në postballinën e veprës së tij, si për të çelur siparin e një diskutimi tjetër kritik, atë të kufinjve gri tashmë mes fiksionit letrar e informacionit faktik, që qoftë në trajtën e intertekstit, qoftë në atë të informacionit enciklopedik, dëshmojnë, se letërsia është në lëvizje të vazhdueshme, kërkuese ndaj formave të reja aplikative, poetike e estetike.

Ky raport, që autori i prezanton lexuesit të tij dhe atij më të gjerë, sjell në fakt një qasje të re për letërsinë, gjithaq për kritikën: atë të kontekstualizimit të ngjarjes enciklopedike, historike, gjeografike, politike, etj me imagjinaren letrare dhe anasjelltas, shpesh duke manovruar me mjete poetike, që zhbëjnë, ose tentojnë ta zhbëjnë kuptimin parësor, për ta riorganizuar në ide të tjera filozofike, kulturore e estetike.

Kështu autori Kosumi, na sjell tre linja përbashkuese: 1-Organizimin dhe strukturën,e cila priret nga koherenca dhe saktësia, 2-Autoritetin narrativ,( E bëra një botë të përkryer, si me shpirtin e njeriut të kozmosit,ashtu edhe me shpirtin e fjalës, Enciklopedia, fq. 9) 3-Interpretimet e shumëfishta, aludimin, por edhe referencat e drejtëpërdrejta me ngjarjet, lëvizjet, ndryshimet, datat historike, politike, kulturore, etj, Gjithashtu hasim lojën dhe eksperimentin, që shprehet ndër të tjera me sintaksë jokonvencionale e herë të tjera me teknikat biografike, kronologjike, në përputhje me synimin faktik. Ndërsa angazhimi kritik, vjen e shfaqet prej ironisë ndaj faktit e mbruhet me ironi të thukët në fiksion.

Dëshmi të narrativave të tilla, letërsia botërore njeh bestsellerin “Infinite Jest” i David Foster Wallace, 1996, e më herët “Gravity’s Rainbow”, 1973 i Thomas Pynchon, natyrisht edhe tituj të tjerë, për të cilat kritika ka folur gjatë, duke konsideruar thelbin fact-fiction, si laborator unik zhvillimor.

Një aspekt tjetër shumë interesant është heroi, apo heronjtë, ata enciklopedikë, pra me formatin biografik, tonin objektiv, brenda kontekstit historik, shoqëror a politik, që për meritë autoriale i pranëvihet zbërthimi arketipor përmes konventës sfiduese të dekonstruksionit, i cili kornizon antiheroin, apo identitetin kompleks, dilemën e frikën ekzistenciale, në kontrapunkt me imazhin/et e idealizuara. Edhe në këtë aspekt, terma gjithnjë e më shqetësues si identiteti, vetvetja, tjetri, rradhiten jo vetëm gërmë pas gërme si eksplorim enciklopedik, por si objekt i shqyrtimit të ndërgjegjes së individit, apo polifonisë njerëzore, prej së cilës historia si përvojë, kthen e rikthen arketipin, si mësim… Format modulare të rrëfimit, tipike për enciklopeditë (fokusi ndaj një elementi, personazhi, ngjarje, dukurie), janë edhe teknika të paraqitjes së informacionit referencial e të kryqëzuar, prej nga lexuesi ftohet jo vetëm të shërbehet me konvencionin, por synohet ai narrativ, ndërtuar me figurë e lojë tekstuale.

Elementi i gjithëhasur në vepër është termi ishullorët. Ky term, që definon individin në shoqërinë postmoderne, shfaqet fund e krye, prej ballinës me elementet e skemës, dizajnit, tipografisë, imazhit e dykuptimësisë e që paralajmëron intrigën dhe pritshmërinë. Përdorimi i termit ishull dhe ishullorë, duket se mbart dy kuptimësinë filozofike (klasike ), si dhe vetë figurën letrare, metaforë e alegori, prej nga asociiohet shpella e Platonit dhe vetë “Republika” e tij, madje edhe “Utopia” e Thomas More, ku ishulli utopik, haset si një bankë e ideve të mira sociale e bashkëjetese ideale, Por, kjo panoramë si frymë leximi e nënkuptuar, përmbyset prej tjetërsimit ekzistencialist, prej nga ishulli e ishullorët duket, se janë “politikisht” të izoluar prej vetë mentalitetit ishullor, apo “shakave” të rënda të historisë.
Kqyrja enciklopedike mbi këto dy terma, mund të udhëzojë leximin drejt qerthujve të tjerë të zbërthimit lëndor, konkretisht, si edhe cekëm më lart, atë politik. Ishullin si metaforë, në termat e enciklopedive të termave e diskurseve politikë, e ndeshim si izolacionizëm, nacionalizëm, autarki (gr. autarkeia),si vetëmjaftueshmëri, mërgim, mërgatë etj. Këto kuptimësi, duket, se autorit i kanë shërbyer për kontekstet e rrëfimit të tij edhe si strategji edhe si dinamikë, sepse asgjë më mirë se antiteza Udhëkryq Ishullor, nuk e paraqet shpirtin e hapërdarë të ishulltarit (Enciklopedia Imagjinare, fq.12)
Një thirrje introjektive ndaj audiencës së synuar, prej nga lexuesi, si marrës dekodon, se kjo mënyrë e re e të rrëfyerit, është ftesë për udhëtim conscious and subconscious, ku metanarrativa njerëzore letrare mbruajtur me imagjinatën, thërret faktin substancial, si për të ngritur dilemat e pazgjithshme retorike:
Kush jemi, kush duam të jemi?!
Është po kjo thirrje, që ndërron kah përgjatë leximit e merr drejtim ekstrovert, prej nga ekzistenca dhe vetë etika njerëzore, shfaqin dilemën, që nënkuptohet prej faqes së parë…
Autori i prin lexuesit dhe e udhëzon drejt cronosit, ku vepra jeton, i ndih me skemën e leximit, si një didaskali e nevojshme në perceptimin e zbërthimin e plotë si në rastin e qasjes ndaj “Njeriut Vitruvian”, të Da Vinçit;
“Njeriu Vitruvian”, i arkitektit romak Vitruvius, më vonë prej gjenisë së Da Vinçit (1490), u përcaktua si përmasa ideale trupore njerëzore, përsosmërinë e tij dhe tokës, simbolikë e rrethit e katrorit, saktësinë teknike e bukurinë estetike, që mbeti e mbetet testamenti i kuptimit të thellë e bashkërendjes art- shkencë. në mikrokozmos e makrokozmos njerëzor.
Në këtë kuptim postromani bën bashkë dijen, si dukë referuese, sistemike dhe përfshirëse (strukturimi në kapituj alfabetikë dhe tematikë), me plotin emocional, trillues dhe emotiv, duke shfaqur trope të reja, në këtë rrugëtim unik, tejkalues e të parrahur.
Prof.asoc.dr. Erenestina Gjergji (Halili)
Nëntor, 2023

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb