Shfaqja e radhës e Mourinhos, këtë herë pas humbjes së Realit në derbin e Madridit, ka shkaktuar polemika të mëdha në Spanjë. “Mjaft më me presionet ndaj arbitrave”, shkruan Mundo Deportivo në faqen e parë, duke iu referuar edhe postimit në rrjetet sociale të Atletico Madridit. Edhe kolegët e Sport nuk mbeten pas: “Spektakël i dobët”.

Teza e të dyja gazetave, e ndarë edhe nga shumë njerëz të sportit në Spanjë, është e njëjtë: “Mourinho i përdor këto justifikime për të fshehur nisjen më të dobët të sezonit të Realit në vitet e fundit dhe për të mos lejuar që të flitet për gjendjen e dobët të disa futbollistëve, si Vinicius Jr.” Ndërkohë, Sport, gazetë e njohur për qëndrimin e saj kundër Real Madridit, thekson: “Vetëm shtatë muaj më parë, kur drejtonte Benficën, ai ankohej për ndihmat që i bëheshin Realit”.
Pra, “Special One” është në qendër të një stuhie kritikash, ndërsa situatën e ka bërë edhe më interesante reagimi i fundit i Mbappé, i cili është distancuar nga qëndrimi i Mourinhos dhe Realit për çështjen e arbitrave.
“Nuk kam folur kurrë shumë për arbitrat – tha francezi për AS. – Nuk do të filloj tani. Kam mendimet e mia, por i mbaj për vete. Dhe sigurisht që nuk do të filloj tani. Arbitri është njeri, bën gabime, por nuk dua të hyj në detaje. Të tjerët mund të flasin, por ne duhet të bëjmë më shumë dhe të punojmë për t’u rikthyer te fitorja”.

Deklarata e yllit francez, ish-lojtarit të Monacos, i cili nuk është rreshtuar në krah të klubit të tij për këtë çështje, pritet të sjellë edhe më shumë diskutime në Spanjë.
