Dy persona kanë humbur jetën në Britaninë e Madhe si pasojë e pemëve të rrëzuara nga stuhia e fuqishme “Boelo”, e cila ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në mbi 90 mijë banesa dhe ka sjellë erëra me shpejtësi deri në 85 milje në orë.
Viktima e parë ishte një 60-vjeçar në zonën e Dumfries dhe Gallouay në Skoci, ndërsa viktima e dytë, një i ri rreth të 20-ave, humbi jetën në veri të Londrës, pasi një pemë ra mbi makinën që po drejtonte. Ngjarja ndodhi të dielën, rreth orës 12:40, në Dollis Road, në Finchley.
Policia dhe ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, por i riu u shpall i vdekur në vend. Ndërkohë, në Aberfeldy, dy gra u goditën nga një pemë e rrëzuar dhe u transportuan në spital.
Sipas Shoqatës së Rrjeteve të Energjisë (ENA), deri në orën 19:00 të së dielës, më shumë se 90 mijë banesa kishin mbetur pa energji elektrike. Riparimet janë vështirësuar nga kushtet e rrezikshme atmosferike, të cilat kanë kufizuar mundësinë e ekipeve teknike për të ndërhyrë në mënyrë të sigurt.
Gjatë stuhive “Boelo” dhe “Austen”, e cila goditi vendin të premten, rreth 838.700 prona në të gjithë Britaninë e Madhe janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike.
Erërat më të forta u regjistruan në Machrihanish, në Argyll and Bute, ku shpejtësia e tyre arriti në 85 milje në orë. Paralajmërimet për erëra të forta dhe reshje shiu prekën pjesë të Skocisë, Anglisë veriore dhe Uellsit.
Autoritetet meteorologjike britanike u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të mbyllura dhe të shmangin ecjen apo qëndrimin pranë pemëve dhe ndërtesave gjatë motit të keq.
Ndërkohë, janë lëshuar paralajmërime për përmbytje në disa zona të Anglisë, Uellsit dhe Skocisë. Në Malësitë Skoceze janë regjistruar reshje të dendura, me deri në 130 milimetra shi në zonën e Cluanie Inn.
Qeveria skoceze ka zhvilluar një takim urgjent për të shqyrtuar pasojat e stuhisë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se, megjithëse moti mund të përmirësohet përkohësisht, kushte të pafavorshme atmosferike mund të rikthehen gjatë ditëve në vijim.
