Aeroporti ndërkombëtar i Budapestit “Ferenc Liszt” është mbyllur përkohësisht pas stuhive të fuqishme që goditën rajonin, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturën ajrore. Mbeturina të shumta u përhapën nëpër pistat e fluturimit, ndërsa uji përmbyti sallën e nisjeve të Terminalit 2A.

Autoritetet aeroportuale konfirmuan se ndërtesa u evakuua për arsye sigurie dhe fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar.

“Të gjitha regjistrimet e pasagjerëve po kryhen në Terminalin 2B. Stuhia ka prekur edhe rrugët përreth, prandaj këshillojmë udhëtarët të informohen për gjendjen e trafikut para nisjes”, thuhet në njoftimin zyrtar të aeroportit.

Sipas të dhënave nga Flightradar, disa fluturime që ishin planifikuar të mbërrinin në Budapest janë devijuar dhe janë ulur në aeroporte alternative në rajon. Ekipet teknike janë në terren dhe po bëjnë vlerësimin e plotë të dëmeve.

Ndërkohë, moti i keq nuk është i kufizuar vetëm në Hungari. Reshje të dendura dhe erëra të forta kanë goditur gjithashtu Zagrebin, Beogradin dhe Lubjanën, duke shkaktuar ndërprerje të transportit dhe vonesa të shumta.

Udhëtarët që planifikojnë të fluturojnë drejt apo nga Budapesti, si dhe qytetet e tjera të prekura, këshillohen të kontrollojnë informacionet e përditësuara nga kompanitë ajrore dhe autoritetet lokale para nisjes.

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb