TIRANË

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj ka zbuluar sot në një konferencë për mediat detaje për hetimin e skandalit të publikimit të pagave të 690 mijë personave.

Imeraj tha se kanë qenë subjekte private që i kanë blerë këto të dhëna nga punonjës të Tatimeve dhe AKSHI-t, duke treguar më tej se bëhet fjalë për persona që punojnë në fushën e përmbarimit.

Sa i përket qëllimit të blerjes së databazës ajo tha se i kanë përdorur për qëllime të punës apo qëllime të tjera, por se hetimet vijojnë.

“Grupi hetimor të cilin gjej rastin ta falënderoj për hetimet intensive, ka qenë i devotshëm në kryerjen e hetimeve për të gjitha pistat e hetimit, përfshirë dhe qëllimin e nxjerrjes së të dhënave. Nga ana jonë është arritur të zbulohet mekanizmi i ngjarjes se si këto të dhëna nga punonjës që kanë aksesin, kanë mundur t’i aksesojnë dhe t’i përdorin. Këto të dhëna janë shitur, punonjës në sektorë privatë i kanë blerë dhe i kanë përdorur për qëllime të tjera. Në momentin e dytë që ka qëllime përkatëse prokuroria është e vendosur të hetojë individin dhe për qëllimet.
Subjektet private persona që punojnë në fushën e përmbarimit, me agjenci të ndryshme që i kanë përdorur për qëllime të punës apo qëllime të tjera. Jemi në fazën e hetimit të mëtejshëm. Në momentin më të parë do të jemi shumë transparent sa lejon kodi i procedurës penale”, tha Imeraj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb