Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e para që mori fjalën në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, nuk i kurseu ironitë për opozitën.
Spiropali solli në vëmendje shprehjen e Ramës, por edhe socialistëve të tjerë se “Suksesi është kolektiv, përgjegjësitë individuale”.
“Ngut për t’u bërë Evropa në Ballkan, ngut dhe vullnet për ta parë Ballkanin si shtëpi evropiane. Shqipëria po vrapon për të kapërcyer pengesat dhe vonesat e saj historike. Për të bërë në sa më pak vite atë që vende të tjera e kanë bërë në dhjetëra e qindra vjet, shpesh duke kaluar nëpër rrugë të përgjakshme. Liria dhe shteti i së drejtës nuk janë akte që realizohen në një ditë natë, as në pak vjet, janë procese që kërkojnë durim, sakrificë dhe vendosmëri, ide hde vizion, përkushtim dhe tolerancë. Ne socialistët shqiptarë kemi dëshmuar se dimë të marrim përgjegjësi dhe të jemi përgjegjës për fatet e Shqipërisë. Ky është destini ynë të ciline ka gdhendur në mermer vullneti i përsëritur i qytetarit shqiptar 8 herë në 9 ballafaqime elektorale të njëpasnjëshme nën drejtimin e Edi Ramës. Shqipëria po jeton ditë të jashtëzakonshme. Ky Kongres i jashtëzakonshëm i PS-së, është pjesë e përpjekjeve tona për të qenë katalizator të ndryshimit dhe të vetëkorrigjimit. Kongresi është pjesë e përgjigjeve që japim ditë pas dite me shërbesën tonë. Shërbesën për një vend dhe në një vend që e dimë si ka qenë, e shohim si është dhe ëndërrojmë sesi do të jetë. Më i zhvilluar, më i respektuar, më i sigurt, më i begatë.
Në fjalorin politik të Ballkanit, fjala histori përsëritet shpesh, por ne e dimë mirë se misioni ynë politik është të ndryshojmë si Shqipëria. Organizata jonë politike duhet të ndryshojë edhe më shpejt për të fituar betejën me kohën. Për të triumfuar në mision tonë kombëtar për ta bërë Shqipërinë Evropën e Ballkanit. Për t’u krahasuar jo me çfarë gjetëm, po me çfarë mund të bëjmë ndryshe. Çfarë mund të bëjmë edhe më mirë, edhe më bukur edhe më shpejt. Sfida jonë është e ardhmja dhe projektimi i saj i pakthyeshëm si një vend evropian. Në një vend më të mirë qeverisur më të drejtë, më të lirë, një vend të njerëzve të fortë me më shumë mundësi jetese dhe oportunitete në jetë, me standarde me më shumë drejtësi shoqërore, më të arsimuar, më të aftësuar dhe më të shëndetshëm”, -shtoi ajo.
(BalkanWeb)
