Një sulm ajror izraelit vrau katër palestinezë në Gaza të martën, sipas deklaratës së shërbimit të emergjencave civile të territorit, ndërsa ndërmjetësit arabë dhe Shtetet e Bashkuara u përpoqën të zgjidhin mosmarrëveshjet midis Hamasit dhe Izraelit rreth një marrëveshjeje të armëpushimit të 19 janarit.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj ajrore sulmuan terroristët që ishin të përfshirë në një aktivitet të dyshimtë në terren në Gaza qendrore dhe përbënin një kërcënim për forcën”.
Izraeli dërgoi një delegacion në kryeqytetin e Katarit, Doha për më shumë bisedime për armëpushimin dhe udhëheqësit e Hamasit përfunduan një raund bisedimesh në Kajro në fillim të kësaj jave. Por nuk ka pasur asnjë shenjë të një përparimi për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kërcënojnë një rikthim në konfliktin e armatosur.
Luftimet në Gaza janë ndalur që nga 19 janari në fazën e parë të armëpushimit dhe Hamasi ka shkëmbyer 33 pengje izraelite dhe pesë tajlandezë për rreth 2000 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë.
Hamasi dëshiron të fillojë bisedimet për një fazë të dytë që supozohej të arrinte një marrëveshje mbi tërheqjen e plotë të Izraelit nga enklava. Izraeli kërkon që Hamasi të lirojë pengjet e mbetura pa filluar negociatat e fazës së dytë.
Të martën Hamasi akuzoi Izraelin se po përpiqej të shkaktonte urinë në Gaza duke vazhduar të pezullonte hyrjen e ndihmave dhe gjithashtu me vendimin e tij për të ndërprerë linjën e tij të fundit të energjisë elektrike në enklavë, një lëvizje që ndikoi në një strukturë për shkripëzimin e ujit dhe trajtimin e ujërave të zeza.
“Ne u bëjmë thirrje ndërmjetësve që të bëjnë presion ndaj okupimit për t’iu përmbajtur premtimeve të tij dhe për të hapur menjëherë vendkalimet, për të siguruar rrjedhën e ndihmave humanitare dhe për t’i dhënë fund politikës së ndëshkimit kolektiv të ndjekur nga autoritetet okupuese kundër popullit tonë”, thuhet në një deklaratë.
Izraeli ndërpreu fluksin e ndihmave për importet e ushqimit, ilaçeve dhe karburanteve në fillim të këtij muaji një veprim që ai tha se ishte krijuar për të presionuar grupin militant Hamas në bisedimet e armëpushimit. Të dielën, ajo njoftoi një ndërprerje të energjisë elektrike, e cila sipas grupeve të ndihmës do t’i privonte banorët e Gazës nga uji i pastër.
(BalkanWeb)